“Arrest me burg” 51-vjeçarit që trafikonte armë nga Serbia

schedule10:39 - 15 Gusht, 2019

schedule 10:39 - 15 Gusht, 2019

Ylber Ademi do të qëndrojë në burg, deri në përfundim të hetimeve, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda i caktoi atij masë sigurie shtrënguese. 51-vjeçari ishte prej dy muaj nën vëzhgim nga policia, pasi trafikonte armë nga Serbia në Shqipëri. Gjatë arrestimit iu sekuestruan 19 pistoleta dhe 4 kallëpe lëndë plasëse.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest me burg” për 51-vjeçarin nga Kosova, i cili u arrestua me 19 armë zjarri të llojit pistoletë dhe municione të tjera luftarake në Elbasan.

Ylber Ademi, me kombësi shqiptare dhe shtetësi kosovare, akuzohet për trafikim armësh dhe të lëndëve plasëse e radioaktive. Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, 51-vjeçari ka qëndruar i heshtur duke mos dhënë detaje për mënyrën se si i siguronte armët apo si ishte përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Prokurori Blerim Tomini gjatë leximit të kërkesës për gjykim tha se hetuesit kishin rënë në gjurmët e 51-vjeçarit nga Kosova, para dy muajsh, por ai ishte mbajtur nën vëzhgim për të zbuluar se ku i dërgonte armët që sillte brenda vendit tonë.

Për të zbuluar më tepër detaje rreth trafikimit të armëve, të arrestuarit i ishte vendosur nën përgjim edhe numri i tij celular. Policia kishte kontrolluar edhe banesën e një familje që dyshohej për lidhje të afërta me Ylber Ademin, në të cilën nuk është gjetur asnjë provë konkrete për trafik armësh dhe municionesh.

Gjithashtu, uniformat blu me vendim gjykate kanë bërë edhe stimulimin e të akuzuarit, për të zbuluar mënyrën se si ai i siguronte armët. Avokati i Ademit, Ramiz Billa ka pohuar në seancë se i akuzuari është penduar dhe se e pranon fajësinë.

Ademi u arrestua më 13 Gusht në aksin rrugor Elbasan-Peqin, duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

Nga veprimet e deritanishme proaktive ka rezultuar se 51-vjeçari ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera. Ndërkohë, armët e sekuestruar dhe celularët po i nënshtrohen ekspertizës, e cila nuk ka mbërritur ende në duart e organit të akuzës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!