Franca promovon Shqipërinë, Rama: Ditë të mbarë me destinacionin e ri turistik

schedule12:18 - 14 Gusht, 2019

schedule 12:18 - 14 Gusht, 2019

Një tjetër dokumentar i realizuar nga gazetarë të huaj promovon turizmin në Shqipëri. Këtë prodhim televiziv të medias franceze TF1 e ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama sipas të cilit vendi ynë promovohet si destinacioni më i ri i preferuar turistik në Evropë.

I kujdesshëm që të publikojë çdo reportazh të huaj mbi turizmin shqiptar është kryeministri Edi Rama.  Këtë të mërkurë kërkon vëmendjen e ndjekësve në rrjetin social  për dokumentarin e realizuar nga televizioni francez TF1, kushtuar Shqipërisë si destinacioni më i ri i preferuar turistik.

“Ujëra të kristalta dhe plazhe të virgjëra rrëzë maleve. Nuk jemi në Korsikë, por në Shqipëri, një parajsë e panjohur, në veri të Greqisë. Ecim buzë Adriatikut për të shkuar drejt Qeparoit. Pikërisht këtu familja De Vorge vendosi të kalonte pushimet”.

Televizioni francez tregon se Shqipëria është zgjedhur edhe për shkak të çmimeve të ulëta.

“Çdo vakt, pjata kryesore, pijet dhe ëmbëlsirat kushtojnë 50 euro për të gjashtë pjesëtarët e familjes. Më pak se nëntë euro për person. Për sa i përket hotelit, familja zgjodhi këtë hotel me katër yje, me pishinë dhe me pamje nga deti për 80 euro nata.

Ashtu si ata, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet është gjithmonë e më i madh. 50 000 vetëm këtë vit. Uji me temperaturë 27 gradë Celsius dhe guralecë. Duket sikur jemi në plazhet më të bukura të Rivierës Franceze. Me ndryshimin se në Shqipëri, turistët nuk vijnë vetëm për banja dielli ose deti, por edhe për ta vizituar, vazhdon më tej përshkrimi në dokumentar.

Një çift nga Lioni ka vendosur të kalojë mbrëmjen në Berat. Për televizionin francez TF1 Shqipëria mund të bëhet së shpejti Kroacia e re, por këshillon që në mes të zhvillimit, vendi duhet t’i rezistojë betonizimit, për të mos iu errësuar qielli./ABC News Albania 24/7