Shkodra beteja e fundit e PD, Basha kërkon marrjen të pandehur të Pjetrit

schedule15:22 - 12 Gusht, 2019

schedule 15:22 - 12 Gusht, 2019

Shkodra do të jetë bastioni i fundit i demokratëve në pushtetin vendor që do të bjerë. Javën e ardhshme Voldana Ademi pritet t’i lëshojë zyrën të zgjedhurit të ri socialist, Valdrin Pjetri, ndonëse selia blu ka vendosur të mos e ndalë betejën ligjore dhe politike ndaj tij.

Bashkia e Shkodrës me gjasë do të jetë godina e fundit e pushtetit vendor që Partia do ti dorëzojë Partisë socialiste, për të nisur drejtimin absolut në 61 njësi vendore në të gjithë vendin.

Pa një vendim final, 21 gushti paralajmërohet se do të jetë data e ndërrimit të pushteteve në kryeqendrën e veriut. Por deri të mërkurën e ardhshme PD paralajmëron zhvillime të forta.

Lulzim Basha i bëri thirrje sot Prokurorisë së Përgjithshme të marrë të pandehur kandidatin e PS në Shkodër në zgjedhjet e 30 qershorit, duke e akuzuar për fshehje të formularit të dekriminalizimit.

“Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit. Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë”, shkruan Basha.

Rezistencën për të mos lëshuar bashkinë simbol të qeverisur gjithmonë nga të djathtët, demokratët e paraqitën edhe përmes fotove që shpërndanë në qytet. Në  një fotomontazh, Pjetri prezantohet me logon e kanabisit gjatë momentit të votimit.

Por duket se përballë akuzave të demokratëve, kandidati fitues i PS është shfaqur i qetë. Valdrin Pjetri ka publikuar në rrjetet sociale çertifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga shtetit Italian.

Kandidati socialist ka garantuar se ditë më të mira do të vijnë për Shkodrën nën drejtimin e bashkisë prej tij.

Ndërkombëtarët kanë qenë shpresa e fundit për demokratët për të ndalur rotacionin e fundit në bashkinë simbol të së djathtës. Kryebashkiakja në detyrë, Voltana Ademi disa ditë më parë për 120 minuta denoncoi te ambasadori i OSBE-së, Borchard çdo parregullsi në procesin zgjedhor dhe pastërtinë e figurës së kandidatit që kërkon të marrë drejtimin e Bashkisë./ABC News Albania 24/7