Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe malore në lindje të Athinës, duke shkaktuar frikë dhe panik në kryeqytetin helen. Flakët janë vënë nën kontroll nga skuadrat e ndërhyrjes së shpejtë, por në zonat përreth shumë banorë u evakuuan.
Banorët e Athinës janë alarmuar për shkak të një zjarri të madh që ra rreth orës 3,30 pas mesnate. Flakët, që arritën në 20 metra lartësi, përfshinë shumë shpejt një pjesë të malit Ymitos, në lindje të kryeqytetit.
Për fat të mirë, reagimi i autoriteteve raportohet se ishte i menjëhershëm dhe brenda orëve të para të mëngjesit arritën ta kufizonin perimetrin e zjarrit, duke shmangur përhapjen e flakëve në një zonë më të gjerë.
Në zonat e banuara që ishin më afër vatrës së zjarrit u bë evakuimi i banorëve, ndërkohë që po vazhdojnë të operojnë 10 avionë dhe helikopterë, 46 mjete dhe rreth 150 zjarrfikës.
Megjithatë, dy banesa raportohet se janë djegur dhe disa të tjera janë dëmtuar rëndë, ndërsa nuk ka të lënduar.
Për disa orë u ndërpre qarkullimi në autostradën që lidh Athinën me aeroportin ndërkombëtar Eleftherios Venizelos. Deri në orën 8,30 të mëngjesit të së hënës situata ishte më e vështirë në zonën ku ngrihet parku i antenave ritransmetuese radiotelevizive.
Kjo ka bërë që stacionet radiofonike të Athinës të ndërpresin transmetimin në sistemin analog.
Në fundjavë në gjithë Greqinë u shënuan 122 zjarre, disa prej të cilave po vazhdojnë.
Shërbimi i mbrojtjes civile ka paralajmëruar se edhe gjatë së hënës rreziku i zjarreve është mjaft i lartë, thuajse në gjithë pjesën qendrore të vendit./ABC News Albania 24/7