Ç’po ndodh në PD? Korreshi: Mbi 20 deputetë janë me Bardhin, 2 ose 3 mbështesin Alibeajn

schedule21:44 - 31 Mars, 2023

schedule 21:44 - 31 Mars, 2023

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi tregoi detaje për rrugëtimin se si ka hyrë në politikë. Gjatë intervistës në “Zonë e Lirë”, deputeti tha se kanë qenë mbështetësit e Partisë Demokratike në Lushnje, të cilët i kanë kërkuar, që ai të hynte në politikë. Ai tha se personalisht ka dashur të drejtojë bashkinë e Lushnjës dhe jo të ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Idenë të parët ma kanë dhënë çunat e Lushnjës. Janë çunat e PD. Kam pasur qejf bashkinë e Lushnjës më tepër, se sa të jem deputet”, tha ai.

I pyetur se pse nuk ka kandiduar në këto zgjedhje në Bashkinë e Lushnjës dhe kush e ka ftuar në PD, Korreshi dha këtë përgjigje: “Sepse situata në PD nuk është ajo e duhura, me kënaqësi do ta kisha pranuar. Mua më ka thirrur Gazment Bardhi, pastaj Lul Basha”, tha ai.

Ai theksoi se mbi 20 deputetë të Partisë Demokratike janë kundër Sali Berishës, ndërsa përmendi se ky numër nuk e mbështet as Enkelejd Alibeajn. Korreshi tha se vetëm dy ose tre deputetë  mbështesin idetë e kreut aktual të PD-së, Enkelejd Alibeajn, dhe simpatinë e grupit parlamentar tashmë duket se e ka marrë Gazment Bardhi.

“Ka një ndarje, është reale ndarja. Nga logjika dhe mendimi se çfarë ka dhënë në politikën shqiptare Gazment Bardhi. Ai ka bërë denoncime të forta. I ka bërë fakt. Jemi 25 deputetë që nuk jemi me Berishën, 22 deputetë janë me Gazment Bardhin, 2 ose 3 me Alibeajn”, tha Korreshi./n.m.abcnews.al