Volodymyr Zelenskyy tha se nuk ka marrë një propozim për të ndërmjetësuar paqen midis Ukrainës dhe Rusisë nga Kina. Zelensky tha se dha “mesazhe të drejtpërdrejta” përmes kanaleve diplomatike se donte të fliste me liderin e Kinës Xi Jinping, por nuk mori asnjë përgjigje.
“Nuk kam marrë një propozim nga Kina për të ndërmjetësuar paqen. Nuk kam marrë propozim për t’u takuar”, tha ai.
Zelensky shprehu gjithashtu skepticizëm për planin me 12 pika të Kinës që bën thirrje për një armëpushim dhe negociata paqeje, duke thënë se “respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial” duhet të jetë i pari.
Kina deri më tani ka refuzuar të dënojë agresionin e Rusisë.
Plani 12-pikësh i Pekinit u kërkon të gjitha palëve të respektojnë sovranitetin e të gjitha kombeve, të mbrojnë objektet bërthamore, të lehtësojnë eksportet e grurit dhe të mbrojnë civilët dhe të burgosurit e luftës.
Megjithatë, propozimi bën thirrje gjithashtu për braktisjen e “mentalitetit të Luftës së Ftohtë” dhe “ndalimin e sanksioneve të njëanshme”, retorikë e përdorur shpesh nga Pekini për të kritikuar përgjigjen e Perëndimit ndaj luftës.
/abcnews.al