Në argumentimin e dekretit të ri për rikthimin në Parlament të ndryshimeve të ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Presidenti i Republikës çmon se miratimi i tyre është një nismë pozitive, por tepër e vonuar e Kuvendit të Shqipërisë, dhe me pasoja negative për ekonominë e vendit.
Dy nenet problematike për të cilat e kthen në Kuvend sipas kreut të shtetit janë 17 dhe 18, të cilat siç thuhet në argumentim shtyjnë subjektivisht hyrjen në fuqi të kufizimeve që vendosen në dhënien e kontratave koncesionare/PPP, që po ky ligji i ri parashikon
“Presidenti i Republikës kërkon rishikimin tërësor të këtyre dy neneve, sepse ato kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi këto dy dispozita krijojnë hapësirën e nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste”.
Projektligji në fjalë, i shqyrtuar në komisione parlamentare në shkurt të këtij viti, kaloi në seancë plenare të datës 18 korrik, 4 muaj më pas, vonesë për të cilën Presidenti nuk gjen ndonjë argumentim ligjor.
Por Meta evidenton se vetëm 24 orë përpara se seanca plenare e Kuvendit, do të votonte ligjin për të kufizuar dhënien me koncesion të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, z.Arben Ahmetaj ka paraqitur një kërkesë për ndryshimin e dy neneve (17 dhe 18), me qëllim që këto kufizime të shtyhen edhe me 3 muaj të tjerë. Dhe kjo kërkesës e deputetit Ahmetaj u miratua
“Duke shtyrë afatin e kufizimeve që vendos ligji i ri, për një datë të mëvonshme 1 tetor 2019, Kuvendi në kundërshtim me interesin publik krijon një mundësi të re që çdo kërkese për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim sërish me ligjin e vjetër. Pra çdokush mund të paraqesë një kërkesë për të marrë gjithçka me koncesion, dhe kjo sepse të gjitha kufizimet e ligjit të ri të sapomiratuar nr. 50/2019, shtyhen për t’u aplikuar në një datë të mëvonshme”.
Presidenti shprehet i shqetësuar për atë që e quan ligjërim të praktikave të dyshimta koncesionare.
“Kuvendi duke shtyrë afatin e zbatimit të ligjit, bëhet “de facto”, ligjërues i praktikave të dyshimta koncesionare dhe hap edhe një herë mundësinë që këto praktika që kanë gërryer ekonominë e çdo familje shqiptare, të vijojnë të realizohen pa u penguar edhe për këto 3 muaj të tjerë”.
Hyrja ne fuqi e ndryshimeve ligjore pas 1 tetori , sipas presidentit, përben jo vetëm rrezik për cenim të interesit publik, por edhe pabarazi në trajtimin e subjekteve private në kundërshtim me parimet kushtetuese. Po ashtu, shtyrja në kohë e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ne ligjin për koncesionet dhe PPP, sipas argumentimit të kreut te shtetit shton rrezikun e rritjes së borxhit publik, nisur nga fakti që deri në datën 1 tetor 2019, mund të paraqiten oferta të reja të pakërkuara./ABC News Albania 24/7

