PD ka denoncuar mungesën e investimeve të huaja në vend bazuar, sipas saj, në shifra të nxjerra nga Banka Botërore, Banka e Shqipërisë dhe Komisioni Europian.
Deklarata e plotë e nënkryetares së PD, Jorida Tabaku:
Gjithçka ka deklaruar Partia Demokratike për uljen e investimeve të huaja tani është zyrtare.
Banka e Shqipërisë raporton se investimet e huaja janë 4.2 % më të ulëta se një vit më parë apo rreth 20 % më të ulëta se dy vjet më parë.
Fatkeqësisht, qeveria e Edi Ramës ka thithur zero investime te huaja.
Në katër vjet qeveria Rama ka përfituar vetëm nga investimet e huaja të sjella në Shqipëri gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, mes të cilëve Gazsjellësi TransAdriatik-TAP dhe Hidrocentrali i Devollit.
Njësoj si FMN, Banka Botërore dhe Komisioni Europian, Banka e Shqipërisë raporton se Shqipëria rrezikon thatësirën e investimeve, kur të përfundojnë dy projektet e mëdha, Gazsjellësi TransAdriatik dhe Hidrocentrali i Devollit i kompanisë Statcraft.
Të dhënat tregojnë se për dy vite rresht, 2015- 2016, TAP-i dhe Devolli përbënë rreth 60% të investimeve të huaja direkte, apo mbi 600 milionë euro.
Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurise juridike! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Pak ditë më parë Europoli konfirmoi se Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit. Ky ishte investimi më i madh i Edi Ramës për të mbajtur pushtetin! Kanabizimi, kriminalizimi dhe korrupsioni i qeverisë janë arsyet madhore përse në Shqipëri nuk vijnë investime të huaja serioze!
Mungesa e investimeve të huaja është reflektimi më i mirë i dështimit të qeverisë Rama, gjatë të cilës ka njohur rritje vetëm ekonomia e drogës.
Kjo është periudha, kur perveç thatësirës në investime të huaja, Banka e Shqipërisë raporton se niveli i kredive për biznesin vendas është 2.5% më i ulët se një vit më parë. Por absurdi është se ndërtimi i rezidencave private zë gjysmën e rritjes ekonomike.
Ne kemi arsye të besojmë se në ekonomi po investohet paraja e drogës, se me lejen e qeverisë po pastrohen paratë e kanabisit.
Në vend që të ishte vendi mikpritës i investimeve të huaja, Shqipëria e Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish.
Ka ardhur koha të ndalojmë një qeveri që varfëron vendin çdo ditë, që pasuron veten çdo ditë dhe që, me marrjen në kontroll të drejtësisë, do të vendosë diktaturën e krimit të organizuar./abcnews.al