Shqipëria po cilësohet si një destinacion “absolutisht i mrekullueshëm” për pushime vjeshtore, me çmime të përballueshme dhe një kombinim tërheqës të plazheve, historisë dhe mikpritjes.
Vendi ynë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve britanikë, të cilët e vlerësojnë Shqipërinë jo vetëm për peizazhet mahnitëse, por edhe për raportin e favorshëm mes cilësisë dhe çmimit.
Në shkrim thuhet se një picë dhe një birrë kushtojnë rreth 6 paund, ndërsa udhëtimi me autobus nga aeroporti drejt Durrësit, për një distancë prej rreth 48 kilometrash, kushton vetëm disa paund.
Por ajo që ka lënë veçanërisht përshtypje te vizitorët britanikë është mikpritja shqiptare.
Durrësi mbetet një nga destinacionet kryesore të rekomanduara për turistët.Qyteti është i njohur për amfiteatrin e tij romak, një prej monumenteve më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, i cili ruan edhe mozaikë me vlera historike.
Vizitorët e kanë cilësuar këtë atraksion si një vend që duhet parë patjetër.
Me fluturime të përditshme nga aeroportet kryesore të Mbretërisë së Bashkuar dhe një kohë udhëtimi prej rreth tre orësh, Shqipëria po prezantohet si një destinacion i afërt, i bukur dhe ekonomik për turistët britanikë.
Natyrë, histori, det dhe çmime të përballueshme – një kombinim që po e vendos Shqipërinë gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve të preferuara për pushime edhe gjatë vjeshtës./abcnews.al

