Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Tensionet në rritje në Lindjen e Mesme/ Goditet infrastruktura energjitike në Arabinë Saudite

schedule22:24 - 12 Shtator, 2026

schedule 22:24 - 12 Shtator, 2026

Një sulm me dron ka goditur infrastrukturën e naftës në Arabinë Saudite, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimeve energjetike dhe duke rritur presionin mbi Riadin. Riadit i është dashur të mbyllë përkohësisht naftësjellësin strategjik East-West, pas një sulmi me dronë që, sipas autoriteteve saudite dhe irakiane, ka origjinën nga territori i Irakut.

Sulmi shkaktoi dëme dhe të plagosur. Bagdadi ka nisur hetimet dhe ka shkarkuar një komandant ushtarak përgjegjës për provincën Maysan, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump tha se pas sulmit, ka shumë gjasa që të jetë irani përgjegjës.

Naftësjellësi, rreth 1 mijë e 200 kilometra i gjatë, është veçanërisht i rëndësishëm pasi i lejon Arabisë Saudite të eksportojë naftë drejt Detit të Kuq duke shmangur Ngushticën e Hormuzit. Ai ka transportuar rreth 4 deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë, ekuivalente me rreth 4–5 për qind të furnizimit global.

Në të njëjtën kohë, Houthit e mbështetur nga Irani kanë avancuar në bregun perëndimor të Jemenit dhe kanë marrë kontrollin e ishullit strategjik Perim, në hyrje të Ngushticës së Bab el-Mandebit. Kjo është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalojnë nafta dhe mallra mes Detit të Kuq dhe Oqeanit Indian.

Nëse Houthit arrijnë të kontrollojnë plotësisht këtë korridor, presioni mbi tregjet globale të energjisë mund të rritet edhe më tej, teksa çmimi i naftës tashmë ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi.

Kjo rrugë lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe është një arterie jetike për transportin e mallrave dhe të energjisë drejt Europës dhe tregjeve aziatike.

Zhvillimet po e vendosin Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara përballë një tjetër sfide. Riadi kërkon mbështetje më të madhe amerikane për t’iu kundërvënë Houthive, ndërsa Uashingtoni përballet me rrezikun e hapjes së një fronti të ri ushtarak në një rajon tashmë të përfshirë nga konflikte të shumta.

Frika kryesore është se përshkallëzimi mund të godasë jo vetëm sigurinë rajonale, por edhe ekonominë globale. Një ndërprerje e rrugëve detare dhe sulmet ndaj infrastrukturës së naftës mund të shkaktojnë vonesa në furnizime dhe presion të ri mbi çmimet e energjisë.

Lindja e Mesme përballet kështu me një tjetër pikë kritike, ndërsa çdo sulm i ri rrit rrezikun që konflikti të përhapet përtej kufijve të tij dhe të prekë drejtpërdrejt tregtinë dhe furnizimet energjetike në mbarë botën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!