Ilir Alimehmeti: Protesta e 3 marsit nuk është për Gjykatën

schedule11:44 - 20 Shkurt, 2023

schedule 11:44 - 20 Shkurt, 2023

TIRANË– Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti tha se sondazhi i vërtetë dhe përcaktues për Tiranën, por edhe për bashkitë e tjera të vendit do jetë data 14 maj, dita e zgjedhjeve lokale. I pranishëm në studion e “Tirana Live” në Abcnews, Alimehmeti u shpreh se sondazhet janë të vërteta kur bëhen me metodologji të saktë, në përbërje të së cilit të mos ketë konflikt interesi.

“Më 14 maj është sondazhi i vërtetë. Ne do shohim trendin e përgjithshëm. Që të jenë të besueshëm, sondazhet duhet të jenë pa konflikt interesi.  Janë të rëndësishme të merren në shqyrtim metodologjia dhe konflikti i interesit. Jemi shumë herët, fushata zyrtare ende nuk ka nisur”, tha ai.

Ai theksoi se nëse BElind Këlliçi fiton bashkinë e Tiranës, ai personalisht nuk do pranojë postin e nënkryetarit, por do japë kontribut në fusha të tjera.

“Nënkryetar jo. Do jem një ndër këshilltarët kryesor të Këlliçit, por nuk ka qenë një diskutim në këtë drejtim, kemi bashkëpunim të plotë. Ka djem dhe vajza që bëjnë punë për të mirën e përgjithshme dhe do ta ndihmoj në çdo drejtim”, tha ai.

Ai u pyet për konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike dhe betejën gjyqësore për vulën në Gjykatën e Apelit. Alimehmeti protestën e thirrur më 3 mars nuk e cilësoi si presion ndaj Gjykatës, por shtoi se shtyrjet e gjyqit, nuk ndihmojnë asnjë prej grupimeve të PD, por kjo shtoi ai i jep avantazh kundërshtarin politik.

“Në Shqipëri kemi një shurdhësi gjyqësore.  Një vendim gjykate është marrë, ky diskutohet një apelim. U shty njëherë, u shty pesë herë, Por, pse shtyhet? Janë të paaftë për të marrë vendimin. Unë mendoj se diçka shtyhet, ka diçka që nuk shtyhet. Ka një vendim, ne po presim çfarë thotë Apeli. Ka një arsyetim pse shtyhet, nuk është nga paaftësia e gjykatësve dhe ky është thjesht dhe vetëm orientim shtyrje, shtytje, për ta vonuar procesin dhe për ta bllokuar procesin. Kush është përfituesi i shtyrjes, as Berisha dhe Alibeaj, por pala kundërshtare. Protesta nuk është për gjykatën, por në atë datë do merret vendimi. Ju e kuptoni vetë se ku janë njerëzit. Do kishte qenë mirë që gjërat të mos shtyhen, por të zgjidhen sipas ligjit dhe Kushtetutës”,  tha ai/n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!