MITROVICË- Kosova sot shënoi 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Serbia. Në gjithë Kosovën, festa dhe gëzimi njerëzve ndihej kudo, ndërsa mbanin më dorë flamurin e Kosovës dhe flamurin kuq e zi. Gazetarja Linda Karadaku emisionin e sotëm “Ballkan Update” e zhvilloi në Mitrovicë, ndërsa në mikrofonin e Abcnews, qytetarët u shprehën të lumtur për kremtimin e kësaj dite.
Vogëlushja e quajtur Lea, e veshur dhe stolisur me kostum kombëtar, ishte shoqëruesja e gazetares, e cila raportoi nga Lumi Ibër. Teksa bëri simbolin e shqiponjës, Lea uroi festën për të gjithë shqiptarët: “Shqiponja është pavarësia. Urime!”
“Ka akoma më mirë, por mirë është. Sot është 17 shkurti, dita e pavarësisë. Unë jam 14 vjeç. Është një ditë shumë e madhe. Do bëj gjithçka për ta ruajtur”, tha një 14-vjeçare.
Të tjerë thonë se atmosfera është festive në pjesën e Mitrovicës së Jugut, ndërsa në veri siç thonë ata nuk ka festë.
“Po ndihemi shumë mirë, dhe është festë shumë e madhe dhe na bën të ndihemi se jemi shtet në zhvillim shtet i ri, shtet në zhvillim. Nuk është ndonjë festë e veçantë, por në përgjithësi është një ndjenjë ajo që e bën këtë festë, sepse kemi qenë nën okupim. Andej nuk ka pavarësi, s’ka shtet, s’ka festa, por ajo i takon politikës”, thanë qytetarët.
Të tjerë besojnë shumë se një ditë Kosova do të bashkohet me Shqipërinë. Njëri prej tyre pohoi se ashtu siç u nda Kosova me Serbinë, ashtu do të vijë dita e bashkimit kombëtar.
“Po presim bashkimin me Shqipërinë. Siç ka ndodhur ndarja me Serbinë, ka me ndodh edhe bashkimi me Shqipërinë”, tha ai/n.m.abcnews.al