Kreu i shtetit Ilir Meta në një reagim publik në rrjetet sociale, shkruan se në 13 tetor duhet të zhvillohen zgjedhjet vendore dhe qëndrore, përfshi ato për Presidentin, pasi në 19 tetor do të jetë shumë vonë.
“KOHA QË TË MOS MBETEMI EDHE NË VJESHTË!
Të dashur qytetarë,
30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian?? do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë??.
Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.
KOHA ËSHTË TANI!
Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!“, shkruan presidenti Meta./abcnews.al