Opozita zhvilloi protestën e 10 kombëtare këtë të hënë. Fillimisht u zhvillua përpara Kryeministrisë, pastaj u zhvendos drejt parlamenti dhe në fund u mbyll tek selia e Partisë Demokratike.
Pas tërheqjes në selinë blu, kryedemokrati Basha mbajti sërish një fjalim përpara mbështetësve të tij. Ai theksoi se javët në vazhdim do të jenë ditë të ngjeshura të aksionit politik për t’i dhënë besueshmëri ndryshimit që po vjen.
“Falë sakrificës tuaj për liri dhe demokraci sot shumica absolute e shqiptarëve kanë përqafuar thirrjen tuaj Rama ik. e kanë refuzuar në mënyrën më bindëse më masive, më qytetarë dhe ditën më të zezë të qyqarit hajdut kur pa kundërshtarë përpara nisi të vjedhë votat e tij. Edi Rama e ka marrë vulën e largimit. Edhe njëherë dua t’ju falënderoj, njerëz të sakrificës, njerëz të betejës, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, që sëbashku e vazhduam dhe e vazhdojmë këtë betejë por sot të bindur se jemi në krye të një shumice absolute të votës më të pastër të 30 Qershorit, 85% e shqiptarëve që folën me heshtje, folën me tallje, folën me brohorima, Rama ik.
Dua ta dijë mirë sot dhe në ditët në vijim PD opozita e bashkuar e kanë dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim. Ndryshimi është tani, qëllimi ynë kryesor, përparësia jonë absolute, prioriteti ynë i parë karshi çdo shqiptari edhe socialisti të ndershëm. Ditët dhe javët në vijim do jenë ditë dhe javë aksioni të ngjeshur politik për t’i dhënë formë, për t’i dhënë thelb dhe besueshmëri ndryshimit të vërtetë për çdo shqiptar. Nuk do jetë çështje fjalësh, por veprash dhe garancish. Edi Rama do të largohet, por është detyra jonë të mos mjaftohemi me rotacionin politik që po vjen, por t’i japim shqiptarëve fundin e tranzicioni, fillimin e Shqipërisë evropiane.
Ky është zotimi ynë para jush, para flamurit kuqezi dhe para Zotit. Le ta kthejmë këtë mazhorancë absolute të refuzimit të regjimit kriminal, le ta kthejmë mazhorancën absolute “Rama ik” në mazhorancën e ndryshimit të madh për çdo shqiptar. Le të vazhdojmë deri në kilometrin e fundit të binishit, betejë që sëbashku e nisëm në ditët më të errëta për këtë vend, të bindur se drita e lirisë dhe demokracisë do të burojë bujarisht nga i madh zot për çdo shqiptar dhe çdo shqiptare e ndershme”, tha Basha./abcnews.al