Superkupa luhet në Gusht

schedule15:30 - 6 Korrik, 2019

schedule 15:30 - 6 Korrik, 2019

Superkupa e Shqipërisë do të vazhdojë të luhet gjatë verës. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që Partizani e Kukësi të diskutojnë trofeun në 18 gusht, në Elbasan.

U mendua që të ndryshonte stinë, si edhe finale të tjera. Superkupa e Shqipërisë, gjithsesi, nuk do t’i ngjajë asaj të Italisë, por do të vazhdojë të luhet në verë, siç ka qenë vazhdimisht, të paktën që nga viti 2001.

Komiteti Ekzekutiv vendosi në mbledhjen e fundit që të mos ndryshojë asgjë, dhe përcaktoi edhe datën e duelit të këtij viti. Partizani kampion e Kukësi fitues i Kupës do të ndeshen në 18 gusht në mbrëmje në “Elbasan Arena”, duke hedhur poshtë mundësinë për ta shtyrë në dimër.

Me shumë mundësi, ky vendim erdhi për të mos ngarkuar kalendarin e Dhjetorit e Janarit. Partizani, që fitoi titullin edicionin e kaluar, do të synojë Superkupën e dytë në histori, pas asaj të fituar në 2004 ndaj Tiranës.

Kukësi, fitues i Kupës së Shqipërisë, gjithashtu do të kërkojë trofeun e dytë, sepse ka triumfuar një herë në 2016 ndaj Skënderbeut. Tirana është skuadra rekordmene e titujve të Superligës, pasi e ka fituar plot 11 herë, duke qenë me diferencë të madhe me Skënderbeun që ia ka dalë tri herë. Superkupa ka nisur të luhet në 1989 dhe deri në vitin 2000 është luajtur në dimër./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!