Kontrolli në bazën e Ervis Martinajt, reagon policia: Gjetëm arsenal armësh

schedule15:39 - 26 Dhjetor, 2022

schedule 15:39 - 26 Dhjetor, 2022

Policia ka reaguar pas kontrolleve të kryera në banesën e Ervis Martinajt.

Në një njoftim bëhet me dije se gjatë kontrolleve, të fshehura në koshere bletësh, janë gjetur 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Lexo edhe: Vis Martinaj ngre në këmbë FNSH-në natën e Krishtlindjeve, u shfaqën gjurmë të tij?

Banesat e tjera të kontrolluara janë të dy xhaxhallarëve të Martinajt, Faik dhe Rakip Martinaj. Policia, RENEA dhe FNSH bastisën në orët e para të mëngjesit banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe. Ndërtesa ishte e fortifikuar me mure të larta me hekura dhe me kamera sigurie.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe.

Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”.

Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:

• 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare.

Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

Për fatin e Ervis Martinajt është aluduar në dy versione që ende nuk konfirmohen nga autoritetet. E  para është që ai mund të jetë rrëmbyer dhe më pas zhdukur, ndërsa versioni i dytë është ajo i inskenimit nga vetë Martinaj të zhdukjes së tij. Edhe vetë Martinaj për shkak të të shkuarës që e lidhte gjerësisht me krimin, është cilësuar edhe si mjeshtri i rrëmbimeve, ndaj dyshimet janë të forta edhe për një inseknim të mundshëm.

/abcnews.al