Këto Krishtlindje, besimtarët nuk e panë me zë e figurë kreun e shtetit t’ju uronte festat.
Presidenti i Republikës nuk e theu traditën e tij të fshehjes nga gazetarët, as në ditën kur media po i kërkonte thjesht një mesazh urimi.
Bajram Begaj vizitoi dy selitë qendrore të krishtera, por as në katedralen katolike e as në kishën ortodokse, nuk i lejoi kamerat t’i afroheshin.
Zyra e tij e shtypit u kërkoi gazetarëve t’i rrinin larg presidentit, të mos e filmonin dhe aq më pak të mos i bënin pyetje, pasi vetë Presidenca do të shpërndante material të gatshëm për median.
E vërteta është se zyra e shtypit e Begaj solli dy njoftime dhe disa fotografi, ku duket Presidenti që buzëqesh pranë dy krye-klerikëve.
Kjo nuk është hera e parë, që Begaj mban larg median. Në mënyrë absurde, qysh kur është zgjedhur ai ju është shmangur gazetarëve dhe nuk ka qenë i hapur të pyetet apo të filmohet prej tyre.
Indiferenca e Presidentit nuk përfshin vetëm gazetarët, por edhe shtetarët.
Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë Finiq doli ta priste Bajram Begajn pasi kishte njoftuar vizitë zyrtare atje, por Presidenti i kaloi përpara këmbëve dhe nuk e përfilli fare.
Me sforcon e një zyre shtypi që përpiqet të mbajë nën kontroll gafat që një president pa përvojë mund të prodhojë, Bajram Begaj rrit figurën e shtetarit që i shmanget llogaridhënies dhe transparencës.
Kujt po i fshihet Presidenti i Republikës?
Për sa kohë do të vazhdojë kështu, t’i fshihet shtypit dhe të mbajë larg median ABC News mund të shqyrtojë mundësinë të mos transmetojë aktivitetet e tij të izoluara dhe të mbajtura nen kontroll.
Presidenti është një institucion që përfaqëson të gjithë shqiptarët, jo vetëm kabinetin e tij./Abcnews.al