Retorika e ashpër nuk do të ndalojë kalimet e paligjshme të emigrantëve në Kanalin Anglez

schedule09:27 - 19 Dhjetor, 2022

schedule 09:27 - 19 Dhjetor, 2022

Nga Arshad Isakjee “Financial Times”

Vetëm pak ditë më parë, 4 persona të tjerë humbën jetën në ujërat e ngrira të Kanalit Anglez. Ne nuk i dimë emrat, historitë e jetës së tyre, apo rrethanat e sakta të udhëtimit të tyre. Por ajo që dimë është se numri i njerëzve që e kanë kaluar Kanalin me varka të vogla për të kërkuar azil në Britani, është rritur shumë në 3 vitet e fundit.

Po kështu është shtuar edhe numri i njerëzve që humbasin jetën në përpjekje për të zbarkuar në brigjet britanike. Më shumë se 28.000 njerëz e kapërcyen Kanalin në vitin 2021 me varka të vogla. Ndërsa shifra këtë vit është mbi 40.000. Që nga viti 2020, të paktën 47 persona dihet se kanë humbur jetën gjatë rrugës për në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë tragjedinë e 31 personave që u mbytën në nëntorin e vitit 2021.

Deri më tani, politikat dhe reagimet e qeverisë ndaj kalimeve të Kanal, janë bazuar mbi supozime të gabuara, dhe për pasojë është thelluar kriza e refugjatëve. Së pari, retorika e qeverisë aktuale e imagjinon vazhdimisht problemin si një deficit sigurie.

Së dyti, ministrat po i bëjnë vazhdimisht jehonë konceptit se Britania është një “vend i lehtë për të depërtuar” për ata që kërkojnë të “shfrytëzojnë” disi sistemin e saj të azilit. Dhe së treti, rritja drastike e kalimeve i atribuohet shpeshherë zgjerimit të trafikimit të qenieve njerëzore nga krimi i organizuar.

Secila prej këtyre pretendimeve bie poshtë nga analiza më e thjeshtë. Por për të kuptuar plotësisht kontekstin global të këtyre kalimeve, duhet së pari të bëjmë një hap prapa dhe të analizojmë se përse njerëzit ndërmarrin rreziqe të mëdha për të arritur në Britani dhe Evropë nga vende dhe konflikte që duken të largëta.

Kur vëzhgojmë spektaklin vdekjeprurës të emigrantëve që kalojnë Egjeun dhe Mesdheun, ne duhet të kujtojmë se vendet përtej periferisë së Evropës përfshirë Turqinë, Jordaninë, Libanin dhe Iranin – presin numrin më të madh të refugjatëve të çdo shteti në botë.

Jo të gjithë refugjatët synojnë të vijnë në Evropë. Ata banojnë kryesisht në vendet në zhvillim, shumë prej të cilave nuk kanë burimet, infrastrukturën apo mbështetjen politike për t’i zhvendosur aty përgjithmonë. Ndërsa Evropa zotëron padyshim burimet dhe infrastrukturën për të pritur dhe zhvendosur njerëzit në lëvizje, mungon zakonisht vullneti politik për ta bërë këtë.

Studiuesit dhe ekspertët nga e gjithë Evropa raportojnë se si shumë vende evropiane e kufizojnë qasjen në sistemin e azilit. Nëse emigrantët nuk mund të fitojnë të drejtën e azilit të njohur në Greqi apo Itali, ata duhet të udhëtojnë më tej për të rindërtuar jetën e tyre.

Sa i përket kufirit detar midis Britanisë së Madhe dhe Francës, duhet të kujtojmë se masa të kushtueshme sigurie janë vendosur prej vitesh në Calais dhe në zonën përreth, për të zbuluar dhe zmbrapsur emigrantët që synojnë të zbarkojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Që nga viti 2014, Britania ka dhënë mbi 232 milionë paund në marrëveshjet e njëpasnjëshme të nënshkruara me qeverinë franceze për të “forcuar kufirin”, përfshirë edhe 62.2 milionë paund të tjerë të premtuara muajin e kaluar. Ndërsa azilkërkuesit mund të kalojnë nëpër shtete të tjera evropiane, ata tërhiqen shpesh nga Britania për shkak të gjuhës angleze, lidhjeve familjare dhe komunitare, si dhe marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore të formuara nga historia e perandorisë britanike.

Nëse zgjidhja për kalimet e paligjshme në Kanal do të ishte thjesht zbatimi më i ashpër i rregullores kufitare, atëherë udhëtime të tilla do të ishin zvogëluar dhe jo rritur. Po ashtu, nëse do të kishte ndonjë të vërtetë në konceptin se Britania ishte “joshëse” për azilkërkuesit, moria e politikave armiqësore, të hartuara enkas për t’ua bërë jetën ferr atyre që kanë një status të pasigurt, do të ndikonin shumë tek njerëzit që udhëtonin për këtu.

Nëse problemi ishte reputacioni i Britanisë si një vend mikpritës dhe bujar, ato politika do të kishin çuar në rënie të numrit të azilkërkuesve. Në fakt nuk ka ndodhur kështu. Fakt është se as mungesa e sigurisë dhe as bujaria e tepruar, nuk është fajtore për këto vdekje të shmangshme.

Problemi është se azilkërkuesit nga shumica e vendeve nuk mund të gjejnë mjete të sigurta dhe ligjore për të arritur në Britaninë e Madhe. Dhe në mungesë të rrugëve të sanksionuara nga shteti, kërkesa për udhëtime do të plotësohet në mënyrë të pashmangshme nga trafikantët.

Prandaj, zgjedhja që ka përpara qeveria britanike është e zymtë. Ajo mund të vazhdojë me përpjekjet e kota për të ndalur azilkërkuesit që mbërrijnë në Britani, ose mund të sigurojë rrugë të ligjshme dhe të sigurta për hyrjen e atyre që kërkojnë azil.

Dhe gjatë viteve të fundit, programet e kufizuara që ofrojnë rrugë të sigurta migrimi për në Mbretërinë e Bashkuar për banorët e Hong Kongut, Ukrainës dhe Afganistanit, tregojnë se politikat për të lejuar lëvizjen e azilkërkuesve janë të mundshme, si praktikisht ashtu edhe politikisht.

Studiues, organizata bamirëse dhe humanitare, po i bëjnë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të angazhohet urgjentisht për të krijuar dhe zgjeruar rrugë të sigurta dhe ligjore drejt azilit, në mënyrë që të reduktojë vdekjet në Kanalin Anglez.

Po ashtu, qeveria duhet të çmontojë “mjedisin armiqësor”, një sistem parandalues ​​të keq-formuar, dhe në vend të kësaj t’i kushtojë një vëmendje më të madhe kushteve globale që nxitin zhvendosjen dhe lëvizjen e detyruar të këtyre njerëzve.

Shënim: Arshad Isakjee, lektor në gjeografinë humane në Universitetin e Liverpulit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!