“Pandëshkueshmëria e kujt ka vjedhur zgjedhjet, nuk zgjidhet me tryeza politike”. Eshtë ky mesazhi indirekt i Lulzim Bashës për deklaratat e ambasadorit të BE.
Në një postim në Facebook, Kreu i PD shprehet se kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit.
“Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike”, shkruan Basha.
Mesazhi indirekt për Sorecën vijon edhe me konstatimin e PD se 30 qershori ishte jo vetëm veprim antikushtetues por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve.
“Qëndrimi që ta uzurpojë pushtetin vendor Edi Rama në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme, se pas ca muajsh do krijojmë Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj gjykon ajo me prapaveprim, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe me parimet bazë të demokracisë”, shkruan Basha.
30 qershori ishte jo vetëm veprim antikushtetues dhe antidemokratik sipas kryetarit të Partisë Demokratike por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve.
“Votimet e 30 qershorit, përtej një farse antiligjore, u manipuluan me çdo mjet dhe mënyrë, që nga manipulimet ligjore dhe kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit.
Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve”, thekson ai.
Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur thotë Lulzim Basha sipas të cilit kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit.
“E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin”, shkruan në statusin e tij Basha.
Mesazhi i kryedemokratit është se ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike. 30 Qershori është nul thotë shefi opozitës sepse cënon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik./ABC News Albania 24/7