Sot, të dielën e fundit të tetorit, akrepat e orës janë kthyer 60 minuta pas, duke shënuar kalimin në orën dimërore. Në orën 03:00 të mëngjesit, ora u zhvendos automatikisht në 02:00, duke u dhënë qytetarëve një orë më shumë gjumë.
Ndryshimi i orës sjell më shumë dritë në orët e para të mëngjesit, por njëkohësisht bën që errësira të bjerë më herët pasdite dhe në mbrëmje.
Për disa qytetarë, kalimi në orën dimërore është një ndryshim pozitiv, pasi u mundëson të zgjohen më lehtë në mëngjes. Për të tjerë, ai mund të ndikojë në organizimin e përditshëm, oraret e punës dhe aktivitetet personale.
Ndërrimi i orës bëhet çdo vit në të dielën e fundit të tetorit, kur nis ora dimërore, dhe në të dielën e fundit të marsit, kur rikthehet ora verore.
Sistemi i ndryshimit sezonal të orës është zbatuar në shumë vende evropiane që prej vitit 1981. Megjithatë, prej vitesh është diskutuar mundësia e heqjes së këtij mekanizmi, për shkak të debateve mbi ndikimin e tij në shëndetin, mirëqenien dhe ritmin e përditshëm të qytetarëve.


