Përplasje dhe gaz lotsjellës në KZAZ në Dibër

schedule21:59 - 28 Qershor, 2019

schedule 21:59 - 28 Qershor, 2019

 

Militantët e opozitës zhvilluan një protestë mbrëmjen e vonë të së premtes para KZAZ nr. 19 në Dibër. Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se rreth 300 persona tentuan të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të shkollës dhe sulmuan me molotov e sende të forta policinë.

Efektivet e policisë reaguan duke përdorur gaz lotsjellës dhe nuk lejuan depërtimin e tyre në KZAZ nr.19.  Situata e tensionuar në shkollën e mesme “Nazmi Rushiti” vijoi prej disa minutash.

 

Vazhdimisht pati përplasje fizike mes protestuesve të opozitës dhe forcave të policisë që kanë marrë në ruajtje objektin.  Në ndihmë të policisë shkuan edhe Forcat e Lëvizshme Operacionale. Pas një ore protestë, militantet e opozitës u shpërndanë.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

“Verbëria e dhunës politike po sulmon sot me molotov KZAZ e vendosur në shkollën “Nazmi Rushiti” dhe Policinë në Dibër, nën drejtimin e përfaqësuesve të lartë të opozitës”, shkruan në postimin e tij në Twitter ministri Lleshaj.

/ABC News Albania 24/7