Në Shëngjin dhe në Tale të Lezhës ndryshe nga viti i kaluar këtë sezon turistik mushkonjat janë kthyer në shqetësim për pushuesit. Nga zyra e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë thanë për ABC News se dezinsektimi do të realizohet shumë shpejt, pasi është në tenderim faza e tretë.
Një vit më parë, zonat turistike të Lezhës u trajtuan që në muajin prill për minimizimin e pranisë së mushkonjave kryesisht në qytet si dhe bregdetin e Talës dhe Shëngjinit. Pavarësisht se jemi në kulmin e sezonit veror dhe Shëngjini ka njohur fluks të lartë vizitorësh, ky proces ende nuk është realizuar.
Pushuesit në Shëngjin e Tale flasin për një shqetësim që sigurisht nuk mund të kalohet lehtë gjatë mbrëmjes. Pickimi i mushkonjave është një bezdisje e madhe për ta, ndaj kërkojnë zgjidhje.
Pavarsisht se mjekët në Shëngjin nuk duan të flasim, pickimi i mushkonjave shkakton enjtje të lëkurës, skuqje, kruarje dhe dhembje. Per fëmijët, pacientët me imunitet të dobët dhe turistët mund shfaqet edhe ngritje temperature. Anafilaksia është dukuri e rrallë te pickimi i mushkonjave, mirëpo kur ndodh kjo mund të jetë fatale.
Nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës Alfrida Marku kërkon që ky proces të realizohet sa më parë që të jetë e mundur
Dezinsektimi do të realizohet shumë shpejt pasi është në tenderim faza e tretë thotë përgjegjësja e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lezhë, Zoje Zefaj.
Sezoni veror ka kaluar 1 të tretën e periudhës së tij, ndërsa shpresohet që pickimet e mushkonjave të mos jenë një shqetësim për periudhën e mbetur të sezonit, por zgjidhja e problemit duhet pritur.
Gazetar i ABC News, Lezhë: Gjergj Figuri