Një ditë pas protestës së nëntë kombëtare të opozitës që u zhvillua në Tiranë nga jugu i vendit kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin e tij se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 Qershor. Përpjekja për ta kthyer Shqipërinë pas u shpreh kryeministri nuk ka asnjë shans pasi qytetarët sipas shefit të qeverisë nuk mbështesin kaosin.
Edi Rama është i bindur se 30 Qershori nuk mund të ndryshojë. Tashmë veç bluzës, këtë numër e ka të stampuar edhe në kapelën, me të cilën u shfaq për herë të parë në fushatë. Në Finiq, aty ku thuajse të gjithë banorët gjuhë të nënës kanë greqishten, kryeministri ua tha edhe në gjuhen e tyre.
“Meqë ka ende njerëz që pyesin a do ketë apo jo zgjedhje në “trianda junio”, unë po ju them në 30 Qershor do ketë zgjedhje”.
Në takimin me banorët e zonës minoritare të Finiqit, kryeministri e parashikoi të dielën e fundit të Qershorit si një ditë normale. Orvatjet për t’i penguar zgjedhjet sipas shefit të qeverisë mund të jenë sporadike, ndonëse për planprishësit nuk i kurseu paralajmërimet.
Përballë kandidatit të socialistëve Kristaq Kiço, për Bashkine e Finiqit do të garojë si i pavarur kryebashkiaku aktual Leonidha Hristo. Ndryshe nga katër vite më parë kur kandidati i “Mega-s” mbështetej nga Partia Socialiste në këto zgjedhje kryeministri Rama nuk i kurseu akuzat ndaj tij.
Pak më vonë nga Bashkia e Konispolit ku socialistët nuk kanë kandidatë përballë, kryeministri i çoi një mesazh Ilir Metës dhe opozitës parlamentare.
Për herë të parë Rama foli dhe për ndëshkimet me të cilat do të përballen pas 30 Qershorit punonjësit e bashkive të djathta që u përfshinë në protesta kundër procesit zgjedhor. Këtu diferencoi gratë dhe burrat.
Në Finiq, Konispol, por dhe në Sarandë kryeministri premtoi se brenda mandatit të ri do të fillojë puna për ndërtimin e aeroportit të ri të Sarandës. Në qytetin bregdetar kryeministri Rama u tha banorëve se do të bëhet qendër e turizmit për gjithë jugun e Shqipërisë./ABC News Albania 24/7