Mëngjesin e së hënës rreth orës 09:30, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është thirrur për t’u paraqitur pranë Prokurorisë së Tiranës. Kryedemokratit pritet t’i komunikohet akuza lidhur me çështjen e parave të lobimit në Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
Sipas fletë-thirrjes së Prokurorisë nën hetim janë marrë edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani si dhe ekonimisti i selisë blu Ilir Dervishi.
Nga hetimet e kryera, prokuroria thotë se janë evidentuar veprat penale që kanë të bëjnë me falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e Partisë Demokratike doli në pah Nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.
Kompania deklaroi se ka marrë tre pagesa, e para mban datën 24 Mars 2017 dhe është bërë nga firma “Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 Mars, për 25 mijë dollarë dhe tjetra më 9 Qershor për 500 mijë dollarë. Partia Demokratike nga ana e saj nuk i ka pranuar lidhjet me firmën “Biniatta Trade LP”./ABC News Albania 24/7