Këshilli i Mandateve me dy raporte në Kuvend për Xhaçkën, Bardhi: Socialistët kanë marrë në mbrojtje kolegen

schedule14:49 - 19 Tetor, 2022

schedule 14:49 - 19 Tetor, 2022

Në Kuvend Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka vendosur që të shkojë me dy raporte sa i përket kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes socialiste  Olta Xhaçka.

Gjatë kësaj mbledhjeje, deputeti demokrat Gazment Bardhi është shprehur ndë të tjera se për një raport të përbashkët nuk ra dakord pasi sipas tij, socialistët kanë vendosur që të “marrin në mbrojtje kolegen e tyre.”

“Unë dhe kolegia e mazhorancës nuk kemi rënë dakord për një raport të përbashkët se kolegët e maxhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren e kolegen e tyre Olta Xhacka. Qëndrimi i opozitës ka qenë që këtë çështje duhet ta shqyrtojë në themel Gjykata Kushtetuese. Ne nuk vendosim nëse një deputet ka ushtruar ose jo mandatin në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo që ne e Kuvendi vendos është për t’ia përcjellë për shqyrtim GJK. Siguroj koleget se çështja do dërgohet për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në GJK e ne do mblidhemi përsëri këtu pas vendimit te GJK që do ju detyrojë ta dërgoni në këtë çështje në GJK.”

Nga ana tjetër, deputetë të mazhorancës janë shprehur se Kuvendi nuk ka arsye kushtetuese për të çuar në Gjykatë kërkesën e PD-së.

“Ne arrijmë në konkluzionin që nuk ka çështje që Kuvendi duhet t’ia dërgojë për shqyrtim Kushtetueses. Kërkesat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e Kushtetutës. Kuvendi në seancë nuk i diskuton raportet, e thotë kushtetuta dhe rregullorja,” u shpreh deputetja Klotilda Bushka. /abcnews.al/