Kapen më shumë se 1 ton “e bardhë” e fshehur mes kallamarëve në Guayaquil, lidhja me shqiptarët: Ishte nisur për në Antwerp

schedule16:45 - 13 Tetor, 2022

schedule 16:45 - 13 Tetor, 2022

Policia e Ekuadorit raportoi se, gjatë një operacioni, në portin e Guayaquil u gjet një kontejner me 432 kuti kallamarësh të kontaminuar me drogë . Pas analizave të kryera, u konfirmua zbulimi i 1294 zarfave me hidroklorur kokaine , të cilat efektivët e policisë i zbuluan në një kontenier transporti me kallamar të ngrirë. Lëndët fshiheshin në çatinë e kontejnerit dhe në mes të produktit detar me qëllimin për ta fshehur pas erës karakteristike të kallamarit.

Mediat e huaja raportojnë se bazuar në një hetim të fundit rezulton që mafia shqiptare kontrollon rrugët e paligjshme të kontrabandës së kokainës dhe madje ka ngritur “shkolla vrasëse” në qytet, duke rekrutuar fëmijë deri në 10 vjeç. Ndaj dyshimet janë se droga u përkiste pikërisht shqiptarëve që drejtojnë trafikun e kokainës nga Guayaquil në drejtim të Antwerpit.

Destinacioni i mallit të konfiskuar ishte Mbretëria e Belgjikës. Njësitë e inteligjencës dhe Qendra Rajonale e Trajnimit të Qenve gjithashtu morën pjesë në operacion. Të dielën, më 9 tetor, një qen antidrogë gjeti 1294 pako me kokainë në ngarkesën me kallamar.

Pesha totale e drogës ishte 1.5 ton, ekuivalente me 13 milionë doza, tha koloneli Milton Montalvo Calderón, zëvendës komandant i Distriktit 8, i cili përfshin kantonet Guayaquil , Durán dhe Samborondón.

Gjatë një operacioni tjetër është arrestuar një person me 120 pako me hidroklorur kokaine. Pesha totale e alkaloidit është 304 paund, e barabartë me 1.2 milion doza. Gjithsej 154 ton ose 340 mijë paund drogë, baraz me 1.4 miliardë doza, janë sekuestruar në të gjithë vendin që nga 1 janari i këtij viti. Në Distriktin 8, konfiskimet arritën në 78 ton ose 172,000 paund.

Presidenti ekuadorian Guillermo Lasso konfirmoi se Policia Kombëtare çarmatosi 531 organizata kriminale që vepronin në Guayaquil. Njoftimi u bë në seancën solemne për 202 vjetët e Pavarësisë së Guayaquil, i njohur si kryeqyteti tregtar i Ekuadorit, i cili tashmë është një nga 50 qytetet më të rrezikshme në botë për shkak të rritjes së dhunës. Qyteti konsiderohet një qendër logjistike për transportin e drogës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA. Për më tepër, një hetim i fundit zbuloi se mafia shqiptare kontrollon rrugët e paligjshme të kontrabandës së kokainës dhe madje ngriti “shkolla vrasëse” në qytet, duke rekrutuar fëmijë deri në 10 vjeç. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!