Arrihet marrëveshja SHBA-Meksikë

schedule13:37 - 8 Qershor, 2019

schedule 13:37 - 8 Qershor, 2019

Është arritur marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës duke shmangur kështu hyrjen në fuqi të tarifave. Meksika nga ana e saj ka marrë përsipër  të përforcojë kontrollet në kufi për të frenuar fluksin e emigrantëve drejt SHBA.

Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë firmosur një marrëveshje me Meksikën, e cila pezullon për një kohë të pacaktuar tarifat. Kjo në shkëmbim të masave të forta për të ndaluar fluksin e emigrantëve nëpërmjet Meksikës. Meksika ka pranuar të vendosë menjëherë në gatishmëri Rojet Kombëtare për t’u përballur me emigrantët që i drejtohen Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan shkroi në profilin e tij në Tëitter se ishte i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Tarifat të cilat duhej të ishin aplikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën e ardhshme, janë anuluar. Dhe gjatë kthimit të tij nga udhëtimi në Europë kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte lënë të kuptohej se kishte shumë mundësi të arrihej një marrëveshje. Ndërsa departamenti amerikan i shtetit publikoi detajet.

Meksika ka marrë përsipër të kryejë tre gjëra: të vendosë në gatishmëri rojet kombëtare në veçanti në kufirin jugor me Guatemalën, të përforcojë aplikimin e ligjeve për emigracionin dhe të presë një numër më të madh azilkërkuesish në territorin e saj – të cilëve do u jepet një vend pune. Por Meksika ka refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tu bërë një vend i tretë i sigurt. Kjo gjë do e detyronte të merrte një numër më të madh emigrantësh nga Amerika qendrore.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo falenderoi palën meksikane. Ndërsa ministri i Jashtëm meksikan u shpreh se ishte gjetur ekuilibri i duhur. Palët do të vazhdojnë bisedimet për 90 ditë të tjera për hapat e radhës. Përmbyllet në këtë mënyrë një konflikt nga i cili Trump del fitimtar, falë kërcënimit të tarifave edhe pse hyrja në fuqi e tyre do të dëmtonte dhe konsumatorët dhe ekonominë amerikane. Dhe tregjet, janë më pak të shqetësuara në pritje se si do të përfundojë beteja e tarifave me Kinën./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!