Të paktën e pesë lëkundje toke janë regjistruar mëngjesin e sotëm në rajonin e Korçës, ku më i fuqishmi prej tyre ka qenë gati 4 ballë të shkallës Rihter.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Mjedisit dhe Ujit, tërmeti i parë i regjistruar gjatë ditës së sotme ka ndodhur pak pas mesnatës dhe epiqendra e tij ka qenë 16 kilometra në jug të Korçës. Ai ka qenë me magnitudë 2.4 ballë dhe është pasuar pak orë më vonë, pak pas orës 3 të mëngjesit, me një tjetër termet 2.1 ballë.
Por, rreth orës 05.50 është regjistruar dhe tërmeti më i fuqishëm i ditës së sotme 3.9 ballë të shkallës Rihter. Ndërkohë që në orën 06.00 është regjistruar dhe tërmeti i katërt i rënë po në zonën e Korçës me magnitudë 3.1 ballë të shkallës Rihter dhe 45 minuta më vonë është regjistruar dhe tërmeti i pestë, i cili ka qenë 2.5 ballë.
Që prej natës mes së premtes dhe të shtunës së javës së kaluar në rajonin e Korçës janë regjistruar me dhjetëra lëkundje tokë, të cilat kanë shkaktuar dëme të shumta materiale si dhe të paktën 4 persona të plagosur. /ABC News Albania 24/7