Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur në shpatull me armën e shërbimit gjatë kryerjes së detyrës në Bazën Ajrore të Kuçovës.
Ngjarja ka ndodhur më 3 nëntor 2026, rreth orës 16:46, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi zyrtar.
Menjëherë pas incidentit, efektivit me inicialet E.D. iu dha ndihma e parë mjekësore dhe më pas u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit.
Sipas vlerësimit të mjekëve, parametrat jetësorë të tij janë brenda normës dhe efektivi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për të marrë trajtim të specializuar, ai është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po vijon procedurat për dokumentimin e rastit dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, të cilit i uron shërim të shpejtë.


