Stoltenberg në Tiranë: Mosmarrëveshjet të zgjidhen me dialog

schedule17:52 - 2 Qershor, 2019

schedule 17:52 - 2 Qershor, 2019

Një zgjidhje për krizën politike në vend u duk se do të vijë nga vizita surprizë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në Tiranë, Jens Stoltenberg.

Veçanërisht sepse u planifikua vetëm pak orë para protestës së shtatë kombëtare  të opozitës së bashkuar. Ajo që u artikulua prej tij më shumë se një herë është thirrja për dialog e vetëpërmbajtje të politikës.

Këmbëngul që edhe zgjedhjet janë pjesë e një procesi demokratik që nuk duhen anashkaluar. Ndërsa për kryeministrin Edi Rama gjithçka ndodh apo mund të ndodhë me protestat e kundërshtarëve të tij politikë janë inskenime që nuk do të arrijnë të cënojnë imazhin e vendit.

“Kjo është inskenim politik dhe nuk ka shans të shtrihet përtej kufijve të skenës politike. Ne do të zhvillojmë zgjedhjet si proces i patjetërsueshëm demokratik”, tha Rama.

Pyetjes se a ka ndikim të Rusisë në  në protestat që po zhvillohen në disa vende të Ballkanit, i dha përgjigje vetëm kryeministri Rama.

“Me ose pa dashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor as në NATO, as në BE”, tha Rama.

Kryeministri zbuloi pak nga arsyet e paqarta të kësaj vizite të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

“Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm përkon dhe me vitin e 10-vjetorit të anëtarësimit tonë në NATO dhe po ashtu është edhe një afirmim i vëmendjes së kujdesit ndaj Shqipërisë dhe ndaj rajonit”, tha Rama.

Mirëseardhja i urohet gjithmonë një miku të tillë nënvizoi kryeministri i keqardhur që këtë herë retë mbuluan qiellin e Tiranës.

“Është gjithmonë i mirëseardhur në Shqipëri. I kam kërkuar ndjesë për motin jo tipikisht për Tiranën dhe vendin në këto kohë, por ndoshta është ndjerë si në shtëpinë e tij në Norvegji”, tha Rama.

Më pas sekretari i përgjithshëm i NATO-s u prit në një takim nga kreu i shtetit Ilir Meta. Në një njoftim për shtyp të zyrës së presidentit thuhet se kryetari i shtetit çmoi investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës.

Më tej, kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri multietnike dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!