Tregu i kriptovalutave në Shqipëri do të funksionojë në bazë të standardeve të reja më të forta ligjore. Qeveria ka miratuar ligjin për Tregjet e Kripto-Asseteve, një dokument që synon të krijojë një kornizë rregullatore për tregtimin dhe përdorimin e kripto-aseteve (si Bitcoin, Ethereum dhe monedha të tjera digjitale).
Ky ligj ka për qëllim të rregullojë këtë sektor që ka pasur rritje të shpejtë dhe të krijojë kushte për zhvillimin e sigurt të tregut të kripto-aseteve, duke u siguruar që të mbrohen konsumatorët dhe të shmangen aktivitetet e paligjshme si pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.
Të gjitha entitetet që ofrojnë shërbime të lidhura me kripto-asetet (si shkëmbim, mbajtje ose këmbim monedhash) duhet të licencohen nga autoritetet kompetente, të tilla si Banka e Shqipërisë ose një agjenci tjetër e autorizuar. Çdo subjekt që ofron shërbime të lidhura me kripto-asetet në Shqipëri duhet të jetë i autorizuar. Projektligji kërkon që ofruesit e autorizuar të kenë seli ose degë të regjistruar në Shqipëri dhe të plotësojnë kërkesat për organizimin dhe drejtimin e aktivitetit.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve duhet të respektojnë rregullat për anti-pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke përfshirë kërkesat për verifikimin e identitetit të klientëve. Ligji aktual i vitit 2020 nuk arriti të krijonte një treg të rregulluar, pasi asnjë kompani nuk u licencua.
Ligji i ri për kriptoasetet synon përafrimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë me Bashkimin Evropian./abcnews.al


