Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë me një qëndrim zyrtar kundër draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të prezantuar nga Këshilli i Ministrave.
Analisti Roland Lami thotë se pas 10 vitesh, reforma në drejtësi duhet rregulluar.
Në një intervistë për “Ora e Njëmbëdhjetë” në ABC News, Lami u shpreh se prokuroria nuk duhet të ketë liri të pakufizuar.
“Çdo kryeministër është në të drejtën e tij për t’u shprehur për çështje të caktuara. Që reforma në drejtësi ka nevojë për korrigjime, kjo nuk ka diskutim. Edhe korrigjimi i fundit që po bëhet, duhet parë në këtë lloj perspektive. Duhet parë edhe korrigjimi i fundit në kodin penal. Jemi në një republikë ku pushtetet janë të ndara. Rregullimet janë mëse të nevojshme. Mendoj se ky është interpretim që e jep vetëm Gjykata Kushtetuese, nëse pushteti i drejtësisë i ka kaluar kompetencat apo jo. Prokurorët janë në të drejtën e tyre të shprehen, sepse preket pushteti i tyre, me këto rregullime. Prokuroria, nga një rol i pakufizuar, ka ardhur momenti që kjo liri të rregullohet dhe të disiplinohet. Duhet ta shikojmë edhe reformën, por duhet të shohim me skepticizëm edhe reagimin e prokurorëve”, theksoi ai./abcnews.al


