Rikthimi i vizave për Shqipërinë, Holanda letër KE

schedule14:00 - 31 Maj, 2019

schedule 14:00 - 31 Maj, 2019

Holanda i kërkon Komisionerit për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme që të shqyrtojë kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët. Përfaqësuesi i Holandës në Bashkimin Evropian Robert de Grot e argumenton kërkesën e tij me shtimin e krimeve nga shtetasit shqiptarë.

Avramopulos: “Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Evropë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike të një vendi të BE”.

Njoftimi erdhi.

Përmes një letre drejtuar pikërisht komisionerit Avramopulos, përfaqësuesi i Holandës në Bashkimin Evropian Robert de Groot, i kërkon Komisionit të shqyrtojë informacionin mbi të cilin parlamenti i Holandës bëri mocion që qeveria të heqë vizat për Shqipërinë. Më pas në konsultim me vendet anëtare ky Komision të vendosë mbi nevojën apo jo të ndërmarrjes së aksionit për të luftuar problemet që lidhen me shtetasit shqiptarë.

Shtimi substancial i shkelësve serioz të ligjit që lidhen me shtetas shqiptare apo banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikimin e drogës, qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave;

Rritja e vazhdueshme e numrit të emigrantëve ilegalë, si dhe shtimi i numrit të azilkërkuesve, janë argumentet e Holandës për kërkesën e zyrtarizuar më 31 Maj.

Ajo që bie në sy në shifrat referuar në letrën drejtuar Komisionit Evropian është një shtim me 200% të shtetasve shqiptarë që rrinin ilegalisht në Holandë, nga viti 2017 në 2018-ën. Rritje ka shënuar edhe numri i azilkërkuesve, sipas tabelës drejtuar KE-së.

Ndërkohë në një reagim për mediat shqiptare, ambasada holandeze në vendin tonë ka deklaruar se “tashmë i takon Komisionit Evropian që të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim, e të informojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian mbi rezultatet e këtij vlerësimi”.

Ajo gjithashtu qartëson edhe se deri në një vendim të dytë, politika e vizave për shtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: “Qytetarët shqiptarë mbajtës të një pasaportë biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!