Endri Çekiçi vazhdon të luajë një sezon të madh në Ligën e Parë të Sllovenisë. Mesfushori shqiptar ka shënuar plot 6 gola, edhe pse u bashkua me skuadrën e tij vetëm në muajin Janar.
Mund të thuhet pa frikë se është i papërmbajtshëm. Endri Çekiçi vlerësohet si një nga lojtarët më të mirë të Ligës së Parë të Sllovenisë, diçka që e ka fituar falë lojës së tij, por sidomos me anë të golave.
Mesfushori ofensiv shqiptar ka shënuar plot 6 gola në 6 javët e fundit të kampionatit slloven, dhe ishte pikërisht ai që i dha fitoren Olimpijas së Ljubljanës me golin e vetëm në portën e Murës.
I transferuar në Janar, pasi u largua nga Dinamo e Zagrebit, 23-vjeçari tregoi aftësi të madhe përshtatjeje me skuadrën e tij të re. Pas një fillimi disi të vështirë, ai u bë shpejt protagonist dhe futbollist i formacionit bazë, duke luajtur shumicën dërrmuese të minutave në dispozicion.
Paraqitjet e pogradecarit dhe rrjetat e shënuara prej tij e ndihmuan Olimpijan që të mbante pa probleme vendin e dytë në kampionat, edhe pse me distancë nga Maribori që e fitoi titullin.
Çekiçi, madje, ishte i shkëlqyer në ndeshjen direkte në fushën e Mariborit, duke shënuar gol në fitoren 3-0 të skuadrës nga kryeqyteti. Në mënyrë logjike, mesfushori sulmues është kthyer në një kandidaturë serioze për t’u thirrur në ekipin kombëtar, nga trajneri Edoardo Reja./ABC News Albania 24/7