Qeveria ka prezantuar platformën publike online “Flamingo Mirror”, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve akses në dokumente, të dhëna dhe informacione lidhur me çështje dhe projekte me interes publik.
I pranishëm në aktivitetin e prezantimit, kryeministri Edi Rama tha se platforma do të shërbejë si një hapësirë ku qytetarët mund të konsultojnë dokumentet zyrtare dhe informacionin e lidhur me dosje të ndryshme.
Dosja e parë e publikuar në platformë është ajo për projektin e Sazanit dhe Zvërnecit.
“Sot janë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare, referencat ligjore, informacioni i detajuar për çdo pyetje e shqetësim publik lidhur me dosjen e Zvërnec/Sazanit në stadin aktual të saj. Çdo dosje e ‘Flamingo Mirror/Pasqyra e Flamingos’ është e hapur dhe e përditësueshme”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se platforma është e aksesueshme në të dyja gjuhët dhe se publikimi ka nisur me dosjen e Sazanit dhe Zvërnecit.
“E kemi quajtur ‘Flamingo Mirror’. Është në të dyja gjuhët. Patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Republikës së Shqipërisë, me dosjen e Sazanit-Zvërnecit. Është një burim i cili do t’u shërbejë të gjithëve, do t’u shërbejë qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria. Do të vendosim çdo dosje qeveritare me një ndjeshmëri të posaçme”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, platforma do të përditësohet në vijim me dosje të tjera qeveritare që kanë interes dhe ndjeshmëri të veçantë publike.


