Qeveria prezanton platformën “flamingo mirror”. Kryeministri Edi Rama tha se modeli i transparencës vendoset përballë qytetarëve.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi transparencën si një sfidë të re për administratën dhe institucionet shtetërore, duke theksuar se dokumentacioni duhet të trajtohet, në pjesën më të madhe të rasteve, si një pronë e përbashkët me publikun.
Ai tha se për dokumentet e klasifikuara apo ato të një natyre të caktuar do të vijojë të ketë kufizime në publikim, por sipas tij, bëhet fjalë për një pjesë të vogël të dokumentacionit shtetëror.
Rama e lidhi nismën edhe me nevojën për t’i dhënë publikut mundësinë që informacionin ta marrë drejtpërdrejt nga burimi.
Kryeministri u shpreh se platforma nuk është një “shkop magjik”, por sipas tij, synimi është që dokumentet dhe të dhënat zyrtare të jenë më të aksesueshme për qytetarët.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama;
Për të gjithë ata që do të kenë interes real për faktet, për dokumentet e lidhura me çështje me interes të veçantë.
Unë dua që ta mbyll duke i falënderuar kontribuuesit e kësaj pune jo të vogël, shumë intensive përgatitore, duke shtuar po ashtu që mbajtja gjallë në të përditshmen e vet e Pasqyrës Albania, e cila, siç thashë, është në ndërtim e sipër, është në të njëjtën kohë një sfidë shumë e madhe për administratën, për institucionet tona qendrore, për çdo ministri edhe për Kryeministrinë, në sensin që duhet menduar nga e kundërta e asaj që është menduar tradicionalisht dhe vijimisht.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, nëse tradicionalisht, vijimisht, është menduar që dokumentacioni të trajtohet si një pronë mbi të cilën shteti ka ekskluzivitetin e vet, edhe në të gjitha ato raste kur, në fakt, dokumentacioni duhet të jetë një pronësi e përbashkët me publikun, gjë që ka bërë që në shumë raste qeverisja të bjerë pre e shumë dyshimeve, e shumë e shumë ndjenjave jo pozitive ndaj saj, si rezultat i daljes në dritë të dokumenteve që posedohen nga institucionet, por nxirren nga individë apo konsiderohen si akte heroike të nxjerrjes në dritë të së vërtetës.
Ndërkohë që të gjitha të vërtetat e firmosura dhe të vulosura në institucionet e shtetit duhet që shteti t’i ndajë me publikun pa humbur kohë.
Natyrisht, ka një klasifikim për institucione të caktuara dhe për dokumente të një natyre të caktuar, ka një publikim të kufizuar, por këtu bëjmë fjalë për një përqindje shumë të vogël, ndërkohë që masa e madhe e dokumentacionit është pronë e përbashkët dhe duhet trajtuar si pronë e përbashkët.
Por kjo është një sfidë shumë e madhe kulturore e administratës dhe përfitoj nga rasti që këtu janë drejtues të agjencive, për ta përcjellë këtë mesazh për ju dhe për të gjithë ata si ju që nuk janë këtu të pranishëm, që problematika jonë me informimin publik, raportet e përsëritura të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe sfida jonë e sotme, që është rezultat edhe i një përballjeje të re në një rrafsh krejt të ri të së vërtetës me gënjeshtrën, në një botë ku gënjeshtra ka fituar një platformë që s’e ka pasur kurrë më parë dhe e vërteta të kthehet vijimisht, bëjnë që ne të jemi shumë të vendosur për të bërë atë që na takon: që publiku të ketë mundësi, kur e dëshiron, që të marrë informacionin në burim. Pra, të njihet me faktin drejtpërdrejt, personalisht, dhe ndihma për ta çuar te fakti të mos jetë retorikë, të mos jetë agjitacion, të mos jetë propagandë, të mos jetë politikë, por të jetë didaktike.
Është shumë e rëndësishme kjo për të shpëtuar shtetin si koncept i panegociueshëm, që njerëzit mund të jetojnë në harmoni dhe të mos hanë njëri-tjetrin për së gjalli nga gjithë kjo lukuni e madhe gënjeshtre dhe nga gjithë këto furtuna dezinformimi dhe keqinformimi që ngrihen në të përditshmen e jetës publike.
Natyrisht që Pasqyra e Flamingos, Pasqyra Albania, gjithë këto mjete të reja që ne po përpiqemi të vëmë në dispozicion të shtetit, duke hyrë në të njëjtën fushë, në fushën e botës dixhitale ku mbretëron gënjeshtra, nuk janë shkopi magjik, por ne duhet të bëjmë tonën me të gjithë vullnetin dhe bindjen absolute që s’kemi asgjë për të fshehur, që qeveria nuk ka asgjë për të fshehur, që, nëse ka të meta një proces, nëse ka boshllëqe në një procedurë, nëse ka devijime në një dosje, ka dy mënyra për t’i parë dhe për t’i kuptuar ato.
Duke ndarë se çfarë është defekt, çfarë është një gabim i paqëllimshëm, çfarë është një mungesë që vjen si rezultat i të metës në proces, nga çfarë është qëllimisht e devijuar për arsye të tjera.
Dhe unë besoj që transparenca 100% në këtë përpjekje do të ndihmojë shumë dhe, në këtë drejtim, do të ndihmojë shumë edhe në çlirimin e punonjësve të administratës e të gjithë atyre që i përkushtohen shërbimit ndaj shtetit nga presioni i madh i gabimit të paragjykuar si krim.
Besoj që janë arsye të mjaftueshme për të qenë shumë të angazhuar në rritjen e kësaj gjallese të re dhe në mbajtjen gjallë të gjithë kësaj përpjekjeje, duke i dhënë asaj frymëmarrjen e jetës së përditshme të qeverisjes, ndërkohë që shumë nga misteret dhe shumë nga mitet e Zvërnec-Sazanit apo Sazan-Zvërnecit praktikisht janë automatikisht të zbuluara dhe të rrëzuara në Pasqyrën e Flamingos.”


