Komisari përplasi për vdekje fëmijën 7 vjeç në plazhin e Himarës, reagon AMP

schedule15:12 - 2 Gusht, 2022

schedule 15:12 - 2 Gusht, 2022

Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Himarë, ku Arjan Tase goditi për vdekje një fëmijë 7 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në orën 14:00 në plazhin e Potamit në Himarë. Dyshohet se Arjan Tase, duke drejtuar skafin ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë ka goditur 7-vjeçaren, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeç ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Aktualisht, shtetasi Arjan Tase ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë” thuhet në njoftimin e AMP-së.

Arjan Tase nuk është emër i panjohur. Ai ka mbajtur më herët postin e shefit të Komisariatit të Himarës. Në janar të 2021 Tase u arrestua nga policia për shpërdorim detyre, pas një aksioni anti-kanabis “Hapësira”.

Së bashku me shefin e krimeve Artur Veshaj ata u akuzuan se lejuan kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës. Mirëpo, prokuroria nuk mundi të faktojë akuzat ndaj tyre. Ai u rikthye në detyrë dhe më pas është transferuar në Elbasan./Abcnews.al/