Me hyrjen e makinave inteligjente në Shqipëri, është rritur numri i gjobave dhe i sanksioneve ndaj qytetarëve që lëvizin me mjetet e tyre në rrugët e vendit, për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Por mesa duket puna e makinës inteligjente nuk ecën në unision me Policinë Rrugore, pasi jo në pak raste këta të fundit, nuk lexojnë siç duhet shkeljet e regjistruara nga mjeti që sot monitoron rrugët e Shqipërisë, dhe shpesh penalizojnë qytetarët me pa të drejtë.
Në redaksinë e Abcnews.al, ka mbërritur një denoncim nga ana e qytetarit, të cilit i është dhënë në dorë nga ana e policisë një gjobë të cilën ai duhet ta paguajë për shkelje të qarkullimit rrugor, me pretendimin se ka ecur me shpejtësi tej normave të lejuara, ndërkohë që i është bllokuar edhe leja e qarkullimit.
Deri në momentin që flasim, nuk ka asgjë të keqe, pasi në fund të fundit, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor siç edhe e parashikon Kodi Rrugor dhe ligjet në Shqipëri shoqërohen gjithmonë me penalitete, por këto penalitet bëhen qesharake, kur në vend të shkelësit, gjobitet qytetari i pafajshëm.
E tillë është edhe situata në rastin konkret, pasi siç edhe e lexoni në fletën e gjobës është tjetër emër që figuron si shkelës i ligjit, tjetër emri i pronarit të mjetit, ndërsa personit të cilit i është vendosur në dorë gjoba dhe i është sekuestruar leja e qarkullimit është krejt tjetër.
Për më shumë, edhe mjeti që ka tejkaluar shpejtësinë, nuk ka asnjë lidhje fare me mjetin, e pronarit të të cilit i është bllokuar leja, për shkak se nuk kanë as të njëjtën targë, si dhe nuk janë as edhe i njëjti tip mjeti.
/Abcnews.al/