Policia në Pukë ka vënë në pranga një të ri i cili në vitin 2020 ka grabitur me dhunë një grua të moshuar. Me finalizimin e operacionit të koduar policor “Harresa” është arrestuar V. N., 27 vjeç, banues në fshatin Naraç, Vau i Dejës.
I riu ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendimin e datës 9 korrik 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
27-vjeçari, në bashkëpunim me një qytetar tjetër të shpallur në kërkim, më 20 gusht të 2020 është futur gjatë natës në një banesë në lagjen “Kishagji”, në fshatin Kqirë. Ata kanë hapur me forcë derën e banesës së një 80-vjeçareje të cilën e kanë goditur dhe më pas i kanë marrë 1 milionë lekë nga banesa.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të 27-vjeçarit. /abcnews.al/