Nga Daniele Raineri “La Repubblica”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
“Ushtarët ukrainas i mashtruan rusët. Për 3 ditë i detyruan të besojnë se ishin ende në Lysychansk, ndërkohë ata ishin larguar tashmë prej andej më thonë burimet e mia. Rusëve iu deshën tre ditë për ta kuptuar këtë, dhe kjo flet shumë për mënyrën se si është zhvilluar beteja”- thotë për “La Repubblica” koloneli dhe analisti ushtarak ukrainas Serhiy Hrabsky.
“Tani Vladimir Putini po uron ekipin e tij për fitoren. Por kjo është një situatë që të kujton historinë e shigjetarit të pagabueshëm japonez. E dini këtë histori? Shigjetari japonez mburrej gjithmonë se do të godiste gjithmonë në shenjë dhe nuk do të gabonte asnjëherë.
Kjo vazhdoi derisa njerëzit e zbuluan se ai qëllonte në fillim me shigjetë, dhe më pas shënonte objektivin rreth pikës së goditur nga shigjeta”- thotë ai me ironi.
Hrabsky është sigurisht i njëanshëm në këtë qasje, dhe nuk mund të ishte ndryshe si ukrainas që është. Po ashtu ai flet për “strategjinë e sheqerit të lagësht” që u zbatua në qytetin e Lysychansk. “A e dini se si i zhdukim milingonat nga shtëpitë tona? Hedhim pak ujë me sheqer në disa vende, në mënyrë që milingonat të grumbullohen së bashku, dhe kësisoj janë më të lehta për t’u hequr qafe”- shprehet ai.
Më pak fjalë: ukrainasit zgjodhën që në fillim të mbanin sa më gjatë pozicionet e tyre në atë zonë të Donbasit, për shkak të një strategjie të shkatërrimit kundër rusëve. “Ata kanë pësuar humbje në nivelin 20-30 për qind, dhe shumë njësi nuk janë më në gjendje të funksionojnë të tilla”- nënvizon Hrabsky.
Si rregull, ushtaraku ukrainas nuk flet për humbjet e Ukrainës në këtë luftë. Presidenti rus Vladimir Putin feston fitoren, dhe thotë se departamentet që morën pjesë në betejë tani “duhet të pushojnë, ndërsa të tjerët do ta vazhdojnë sulmin sipas planit”.
Por edhe në një vlerësim të ftohtë të fakteve, pushtimi i Lysychansk dhe Severodonetsk një javë më parë nuk është një triumf për trupat ruse. Është e vërtetë: ata po përparojnë, por çmimi që paguajnë për çdo kilometër është shumë i lartë, raporton abcnews.al.
Kjo pasi rusët po humbasin njerëz dhe mjete me një ritëm me të cilin nuk mund të shkohet shumë larg në këtë luftë. Prandaj Moska detyrohet të rishikojë planet e saj çdo muaj, duke minimizuar vazhdimisht synimet. Kur nisi m ë 18 prill operacioni për pushtimin e Donbas, rusët kontrollonin tashmë 95 për qind të rajonit të Luganskut.
Tani ata mund të mburren se kanë marrën 5 përqindëshin e mbetur, çka është e barazvlefshme me rreth 30 kilometra përparim në 2 muaj e gjysmë. Në të njëjtën kohë, ukrainasit rifituan dyfishin e territorit, në Kharkiv dhe më poshtë në jug pranë Khersonit.
Për të ashtuquajturën fazë të dytë të Operacioni Special Ushtarak – faza e parë kishte qenë rrethimi i dështuar i Kievit – rusët ishin organizuar me shumë pompozitet. Ata ishin përqendruar në një zonë të vetme, kishin vendosur në atë front rreth gjysmën e forcës së tyre luftarake, dhe kishin dislokuar një numër trupash që ishte 6 herë më i madh se ai i ukrainasve dhe një numër artilerie që ishte 10 herë më e madhe se e kundërshtarit.
Plani i tyre fillestar, dhe shumë ambicioz, ishte të fusnin në kurth repartet më të mira të ushtrisë së Kievit, falë një manovre prej qindra kilometrash të gjerë që nisi nga qyteti Izyum në veri dhe Mariupol në jug, dhe që përfundonte duke përfshirë të gjithë rajonin.
U përdor edhe një referencë historike: rusët do të zhvillonin një Kesselschlacht kundër ukrainasve, pra një “betejë me kazan” siç shpreheshin dikur ushtarët gjermanë. Pra do të kishte një ripërsëritje të luftës kundër Wehrmacht-it në Luftën e Dytë Botërore, raporton abcnews.al.
Madje u fol për 9 majin, festën e fitores së Bashkimit Sovjetik kundër nazizmit, si data e caktuar për përfundimin e fushatës. Në fakt, “kazani” u zvogëlua gjithnjë e më shumë, derisa u shndërrua në një rrethim prej disa kilometrash rreth qyteteve Severodonetsk dhe Lysychansk.
Dhe në fund, as kjo nuk funksionoi. Rusët nuk i thyen dot linjat e mbrojtjes ukrainase dhe nuk i futën në kurth ushtarët ukrainas, të cilët u larguan me rregull dhe në fshehtësi nga pozicionet e tyre.
Një burim që sigurisht nuk është pro-ukrainas, ish-komandanti separatist Igor Girkin, shkruan në kanalin e tij Telegram se fushata ruse në Donbass nuk e ka arritur qëllimin e saj, se forcat e armatosura ukrainase nuk janë mundur dhe nuk janë dëbuar nga rajoni.
Pra ushtria ruse “e kohës së paqes” nuk po arrin të fitojë as e ndihmuar nga separatistët e republikave autonome dhe as nga batalionet e mercenarëve – shkruan Girkin, që është shumë i inatosur me zgjedhjen hipokrite të Kremlinit për të mos shpallur mobilizimin e përgjithshëm, dhe për të vazhduar pretendimin se nuk ka një luftë.
Por nga ana tjet ër nuk pati kohë që të shfaqej efekti i plotë i armëve të dërguara nga aleatët perëndimorë në Ukrainë, dhe në veçanti të raketave amerikane Himars, që mbërritën vetëm më 23 qershor.
/abcnews.al