Punimet në rrugë frenojnë vizitorët

schedule15:00 - 8 Maj, 2019

schedule 15:00 - 8 Maj, 2019

Agjencitë turistike po përballen me anulim të tureve të prenotuara më herët për të vizituar Shqipërinë. Kjo sipas Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, vjen për shkak të situatës në vend. Më shqetësim, turoperatorët shohin dhe punimet në infrastrukturë në pikun e sezonit. 

Punimet e njoftuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në autostradën Tiranë-Durrës nga Maji deri në Korrik në funksion të rehabilitimit të sistemit të ndriçimit kanë shqetësuar turoperatorët. Ata i druhen një frenimi të numrit të turisteve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë ndërsa tregojnë se një situatë të ngjashme e kaluan vitin e shkuar.

“Turet kanë filluar dhe natyrisht duhet ta kenë më të lehtë të kalojnë nga pika A në pikën B dhe jo të fillojmë në të njëjtën kohë të hapim këto segmente dhe t’i bllokojmë. Nuk e kuptoj pse nuk duhen bërë këto gjëra gjatë natës dhe jo në 8 të mëngjesit, kur edhe autobusët turistikë bien në trafik. Në pikën e trafikut bllokohet autostrada, arteria kryesore që lidh Rinasin me gjithë pjesën e jugut ku kalon dhe pjesa kryesore e fluksit turistik”.

Faktor ky që sipas kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike i shtohet pasigurive që po shfaqin turistet në prag të zgjedhjeve lokale e tensionit politik që mbizotëron në vend.

“Gjëja më e keqe është se nuk po shohim edhe një zgjidhje të krizës politike. Nuk ka një dritë në fund të tunelit. Duket sikur janë dy palë që nuk po gjejnë një pikë të përbashkët dhe kjo rrit pasigurisë e turizmit. Nuk e dimë se si do shkojë sepse ka pasur bllokime rrugësh dhe skena dhune, të cilat kanë ndikuar dhe në prenotimet e turizmit. Tregu italian është i ndjeshëm ndaj këtyre pamjeve. Mediat italiane si duket kanë shkruajtur shumë për ç;ka ndodh kryesisht në tiranë dhe ka pasur shumë anulime rrugësh”.

Vitin e shkuar vizituan Shqipërinë rreth 6 milionë turistë sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila këtë sezon shfaqet me optimistë, ndërsa turoperatorët thonë se sfidë nuk janë numrat.

“Sfida është të kemi një turizëm cilësor dhe të marrim më shumë të ardhura nga këta turistë sepse për momentin jemi destinacioni me të ardhura të ulëta për qëndrim turisti”./ABC News Albania 24/7