Stoltenberg garanton mbështetjen për Ukrainën, NATO njeh Rusinë si kërcënimin më të madh për sigurinë në zonën euro-atlantike

schedule15:47 - 29 Qershor, 2022

schedule 15:47 - 29 Qershor, 2022

NATO ka konfirmuar mbështetjen për Ukrainën, teksa liderët e vendeve anëtare janë mbledhur për samitin e radhës në Madrid të Spanjës.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg tha se mori  garanci nga liderët se do të jenë krah Ukrainës me ndihmë ushtarake dhe financiare dhe kanë rënë dakord për një paketë të re ndihme gjithëpërfshirëse.

Siç raporton BBC, ai tha gjithashtu se një Ukrainë e fortë e pavarur është jetike për stabilitetin në Evropë.

Stoltenberg dënoi edhe agresionin rus duke thënë se presidenti rus Putin ka shkatërruar paqen në Evropë dhe se kjo është kriza më e madhe e sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore .

Ndërkohë, udhëheqjen dhe lidershipin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Stoltenberg e quajti frymëzim.

Ndërkohë që Jens Stoltenberg jepte konferencën për shtyp, NATO ka publikuar deklaratën e bërë nga krerët e shteteve në takim.

Në të thuhet se NATO do të rrisë ndjeshëm parandalimin dhe mbrojtjen dhe do të ftojë Suedinë dhe Finlandën t’i bashkohen aleancës.

Më tej thuhet se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës “minon rëndë sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar” dhe se Rusia është “kërcënimi më domethënës dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve dhe për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike” – dhe se NATO “do të vazhdojë dhe do të rrisë më tej mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën.

Udhëheqësit kanë miratuar një Koncept të ri Strategjik, për të cilin deklarata thotë se riafirmon vlerat thelbësore të NATO-s. /abcnews.al