Dorëhiqet nga detyra motra e Nuredin Dumanit: Jam në rrezik për jetën, po baltosem padrejtësisht

schedule15:37 - 20 Qershor, 2022

schedule 15:37 - 20 Qershor, 2022

Motra e “killerit” me pagesës Nuredin Dumanit, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e saj në Ministrinë e Jashtme.

Xhuljana Dumani, rezulton e pajisur edhe me certifikatë sigurie në dikasterin e diplomacisë, ndërsa ishte përzgjedhur për të kryer praktikën 3-mujore në MEPJ si studente ekselente, emri i së cilës ka qenë pjesë e listës që kanë aplikuar për këtë program sjellë në MEPJ nga Ministria e Arsimit.

Me anë të një letre, e reja teksa ka njofton dorëheqjen, shprehet se po i rrezikohet jeta me ekspozimin te vendit të saj të punës apo dhe fotove.

Nga ana tjetër me një reagim zyrtarë, Ministria e Jashtme sqaroi se në asnjë moment Xhuljana Dumani nuk ka pasur akses në informacion të klasifikuar e aq më pak në informacion të klasifikuar të NATO.

“Ashtu si për çdo punonjës tjetër të MEPJ, edhe për znj. Xh.D është kërkuar certifikata e sigurisë nga DSIK. Kjo certifikatë është, pas dëshmisë së penalitetit, një tjetër filtër nëpër të cilin kalon çdo punonjës i MEPJ”, sqaroi dje ministria.

Letra e plotë:

Të nderuar,
Prej së shtunës, 18 qershor 2022 jam bërë objekt i keqinformimi të opinionit publik nga disa media, mbi rrezikun që unë si individ paraqes për sigurinë kombëtare dhe institucionin që punoj prej pak muajsh si staf teknik.

Si rezultat i këtyre publikimeve të pavërteta, prej 48 orësh jam në rrezik për jetën dhe e ekspozuar publikisht, jo vetëm unë por edhe kolegë me të cilët punoj prej pak kohësh, e për të cilët do të ruaj vlerësimin tim maksimal.

E vërteta ime e vetme është përpjekja për të ndërtuar një jetë normale, larg profilit të vëllait tim, me dëshirën e një vajze 24-vjeçare, arsimuar me rezultate shumë të mira.

Për shkakun tim prej 48 orësh po akuzohet padrejtësisht edhe institucioni ku unë prej pak kohësh kam dhënë kontributin tim, në një detyrë tërësisht teknike, pa asnjë lidhje për sa pretendohet në media, për akses në dokumentacion të klasifikuar.

Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohen çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës etj, duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, “faji i vetëm” i të cilëve është ndarja e orëve të punës me mua.

Duke i kërkuar ndjesë institucionit që nuk i kam kryer asnjëherë, që për shkakun tim është sulmuar për ushtrim detyrash më lejoni të jap dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme nga detyra.

Me respekt,
Xhuljana Dumani

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!