Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Vrasja e Elton Mermalit/ Dëshmon në GJKKO i ati i viktimës: Një natë para ngjarjes djali doli dhe nuk u kthye më. Laert Haxhiun e kam strehuar në shtëpi

schedule12:24 - 22 Korrik, 2026

schedule 12:24 - 22 Korrik, 2026

Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj grupit të Laert Haxhiut, ku mes të pandehurve është edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani.

Gjatë seancës së kësaj të mërkure, SPAK paraqiti shtatë dëshmitarë për të dëshmuar mbi episodet që përfshihen në dosjen hetimore.

Një prej tyre ishte Kujtim Mermali, babai i Elton Mermalit, i vrarë në tetor të vitit 2021. Ai tregoi se djali i tij doli nga shtëpia një natë para ngjarjes dhe nuk u kthye më, ndërsa familja u njoftua për vrasjen pasi trupi u gjet nga policia.



“Djali im doli të shtunën në darkë dhe nuk u kthye më. Më njoftuan se kishin gjetur trupin. Shkova në morg, mora trupin dhe e solla në shtëpi. Nuk i di motivet e vrasjes dhe nuk mund të them kush e ka kryer”, deklaroi ai.

Gjatë dëshmisë, Kujtim Mermali foli edhe për të kaluarën penale të të birit, duke thënë se ai ishte arrestuar fillimisht në Itali në vitin 2004 dhe më pas ishte ekstraduar në Shqipëri, pasi akuzohej për vrasjen e Artan Sulçes.

Sipas tij, Elton Mermali kishte qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares, por ai besonte se djali nuk kishte qenë i përfshirë në ngjarjen e vitit 1997.

Babai i viktimës deklaroi gjithashtu se njihte prej vitesh Laert Haxhiun. “Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati”, tha ai.

Sipas dëshmitarit, Elton Mermali doli nga burgu i Peqinit më 6 maj 2021 dhe u vra më 17 tetor të po atij viti. Ai shtoi se pas lirimit nga burgu, djali nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk kishte folur ndonjëherë për kërcënime apo konflikte me persona të tjerë.

Kujtim Mermali tregoi se djali njihej me nofkën “Kinezi”, ndërsa pas daljes nga burgu kishte ndryshuar emrin në Alban Semaku. Ai zbuloi gjithashtu se Eltoni i kishte thënë se Artan Tafani do ta ndihmonte për të gjetur një vend pune sapo të takoheshin.

Dëshmon i ati i viktimës, Kujtim Mermali: Elton Mermalin e kam djalë. Një natë para ngjarjes, ditën e shtunë në darkë doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. U njoftuam për vrasjen e djalit, kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuam në Peqin, me pas në morgun e Elbasanit. Policia kishte lajmëruar vajzën e madhe që jeton në Itali, ajo më mori mua në telefon. Ika nga puna, shkova në morg , mora trupin e djalit dhe e solla në shtëpi. Motivet nuk i dija fare. Unë nuk vë dot gishtin se kush e ka bërë, sepse nuk e di. Eltoni ishte fëmija im i dytë, nuk punonte. Pasi bëri burgun, nuk ishte në terezi dhe nuk punonte. Se për çfarë u fut në burg, nuk e di. Djali është arrestuar në 2004 në Itali, fillimisht. Ndenji 2 muaj në burg, mbas gjyqit e kanë nxjerrë ne arrest shtëpie për dy vite. Gabimi i tij që theu arrestin e shtëpisë dhe pastaj e sollën këtu. E arrestuan atje sepse akuzohej për vrasje këtu ne Shqipëri. Për vrasjen e Artan Sulcces. Në 1997 djali ka qenë në Shqipëri. Në dijeninë time djali nuk ka qenë i përfshirë, sepse do merrej haku që në atë kohë, siç u mor për të gjithë. Djali ka qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares. Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati. Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është kryer për motive hakmarrje për shkak të vrasjes së Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në 1997. Djali im nuk i ruhej askujt. Doli nga burgu i Peqinit në 6 maj 2021, në 17 tetor 2021 u vra. Kur doli nga burgu djali nuk ishte mirë, nuk e mora vesh se kush i fuste lëndë narkotike brenda burgut. Në shtëpi nuk pinte ndonjëherë lëndë narkotike. Sjella e djalit në raport me mua ishte shumë e mirë, nuk ishte agresiv. Nuk më përmendi asnjëherë nëse kërcënohej nga dikush në burg, apo se me kë e ndau qelinë. Djali njihej me pseudonimin “Kinezi” sepse ka patur sytë e vegjël, kështu i thërrisnin që i vogël. Kur doli nga burgu, shkoi në gjendje civile ndërroi emrin , e bëri Alban Semaku. Artan Tafanin do t’i gjente punë djalit kur ta takonte. Kështu më ka thënë djali”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!