Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e “Plumbit të Artë”, ku togat e zeza, me kërkesë të avokatëve, po pyesin dëshmitarët e thirrur në proces.
Këtë të enjte u paraqit sërish ish zv.drejtori i Policisë në Elbasan, Krenar Guçe, për të vijuar dëshminë e tij.
Guçe tha se në telefonin e Nuredin Dumanit është gjetur fotoja e tij, por mohoi të kishte njohje me të. Guçe theksoi se ka bërë verifikime për vrasjen e Andi Zylyfit teksa shtoi se për Henrik Hoxhajn dëgjoi kur ky i fundit u kap dhe doli në media.
“Nëntor 2021 unë kam bërë një aksident dhe kam qëndruar deri në maj 2022 me raport mjekësor, me regjim shtrati. Më thanë drejtuesit e mi që jam i kërcënuar, sepse fotoja ime kishte dalë në celularin e një prej të arrestuarve (telefoni i Nuredin Dumani). Shteti shqiptar më ka dhënë mbrojtje. Jam pyetur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarit; në atë deklarim kam sqaruar çdo gjë që kam ditur. Kam bërë verifikime në Rinas që kanë të bëjnë me vrasjen e Andi Zylyfi. Mua më thirri në zyrë drejtori i qarkut dhe më bëri me dije rastin.
Gjatë kryerjes së detyrës në qarkun e Policisë së Shtetit më ka thirrur Gledis Nano, në prani të Tonin Vocaj, dhe më është bërë me dije se ndaj meje disa persona kanë pasur qëllime dashakeqëse dhe për këtë arsye m’u vu mbrojtja fizike. Për Hajdar Bako kam bërë verifikime për vrasjen e Andi Zylyfit. Për të bërë verifikime në Rinas më kanë urdhëruar eprorët. Nuk më kujtohet të kem bërë ndonjëherë kontrolle të Talo Çela. Për veprimet hetimore në Rinas kam lajmëruar eprorin tim Leonard Palushi.
Hajdar Bekon e kam njohur nga targa e makinës dhe nga sistemi TIMS. Në lidhje me Nuredin Dumanin, njohje nuk kam. Kam bërë veprime hetimore ndaj tij. Gjatë kohës që po hetoja nuk jam takuar kurrë me Nuredin Dumanin. Unë e kam nxjerrë në kërkim Nuredin Dumanin si person i dyshuar për vrasjen e Bujar Çela. Henrik Hoxhaj e njoh kur është kapur dhe ka dalë në media”, tha Guçe./abcnews.al


