Partizani kërkon të rikthehet tek fitorja në transfertën ndaj Flamurtarit pas dy barazimeve të njëpasnjëshme. Në “Selman Stërmasi” do të zhvillohet sfida kryesore e javës së 32.
Të shtunën do të zhvillohen të gjitha takimet e javës së 32 në kategorinë Superiore. Partizani kryesues do të udhëtojë në transfertën delikate të Flamurtarit. Të besuarit e trajnerit Skënder Gega kanë si objektiv rikthimin tek fitorja pas dy barazimeve të njëpasnjëshme.
Përballë Flamurtarit parashikohet një ndeshje e vështirë pasi vlonjatët kanë synim kualifikimin në Kupat e Europës dhe aktualisht pozicionohen në vendin e tretë në renditje.
Duel mjaft i rëndësishëm do të zhvillohet në “Selman Stërmasi” mes Tiranës dhe Skënderbeut. Bardheblutë luftojnë për mbijetesë ndërkohë që korçarët për të kapur vendin e tretë në renditje.
Skënderbeu vjen me moralin e lartë në këtë duel pas fitores javën e kaluar ndaj Flamurtarit që rriti jo pak besimin në skuadër. Ndërkohë që Tirana barazoi ndaj rivalit direkt për mbijetesë, Luftëtarit. Në tre takimet e këtij sezoni ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës, janë regjistruar dy barazime dhe një fitore e Tiranës.
Teuta do të luajë ndaj Luftëtarit. Dy skuadra me objektiva të ndryshme. Durrsakët kanë objektiv renditjen në vendin e tretë që aktualisht mbahet nga Flamurtari dhe ndaj Gjirokstritëve nuk lejohet hapi fals. Sa i përket të besuarve të trajnerit Ahmataj edhe barazimi do të ishte një rezultat i pranueshëm.
Në sfidën tjetër, Kastrioti do të udhëtojë në transfertën e Laçit. Krutanët duan pikët e mbijetesës dhe parashikohet një ndeshje mjaft e luftuar pasi kurbinasit janë ende në garë për vendin e tretë. Kukësi merr tre pikët në tavoline pasi ka në letër duelin ndaj Kamzës./ABC News Albania 24/7