Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht për pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Policisë, pezullimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili është duke zhvilluar hetime paraprake për veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve policorë në këtë rast.
Në mesin e zyrtarëve të pezulluar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, Agron Hasanaj, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, majori Ndue Nikolla, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, Sami Lekaj, si dhe zëvendëskomandanti Dervish Haxhiaj.
Po ashtu, është pezulluar edhe Faruk Muqolli, shef i Hetimeve në Stacionin Policor të Pejës, së bashku me shefin e operativës dhe katër hetues policorë.
Lista e zyrtarëve të pezulluar përfshin gjithashtu shefin e Hetimeve Rajonale dhe zyrtarë të tjerë në pozita drejtuese në strukturat policore të Pejës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto masa janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të pavarur të hetimeve, forcimit të llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale për mënyrën e trajtimit të rastit.


