Kancelari gjerman Olaf Scholz është duke zhvilluar një vizitë në Ballkanin Perëndimor duke vërtetuar kështu edhe atë që tha paraardhësja e tij Angela Merkel e cila ka thënë se çdo kancelar që do të vijë pas saj, Ballkanin Perëndimor do ta ketë të rëndësishëm.
Deri më tani, Scholz ka vizituar Kosovën dhe aktualisht ndodhet në Beograd, më pas ai do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë dhe e fundit në agjendë është Greqia. Në një lidhje me emisionin “Ballkan”, Lindita Arapi, gazetare në Gjermani thotë se kjo do të jetë një vizitë e rikthimit të besimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Gazetarja thotë se një rëndësi të veçantë për Gjermaninë ka sidomos nxitja e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa është bërë e qartë tashmë që progresi në këtë drejtim është i pakët.
“Vizita e Scholz tregon rëndësisë që ka ecja përpara e dialogut, vizita duhet parë në kontekstin e përgjithshëm, kriza që po kalon Evropa. Ka shumë rëndësi për Gjermaninë siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Rëndësi ka arritja e një marrëveshjeje, sidomos në këtë kohë.”
Por a do të ketë ndryshim në qëndrimin e saj Gjermania sa i përket qëndrimit që është mbajtur ndaj Shqipërisë?
Lindita Arapi thotë se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj dallimi. Gjermania ka qenë gjithnjë nxitëse e proceseve integruese sa i përket shteteve të Ballkanit Perëndimor, por duhet theksuar që Gjermania nuk vendos e vetme, duhen parë edhe qëndrimet e vendeve të tjera, thotë ajo. /abcnews.al/