Mbyllet programi i shkëmbimit të nxënësve Shqipëri-Kosovë

schedule14:30 - 28 Prill, 2019

schedule 14:30 - 28 Prill, 2019

Në Prizren është zhvilluar Ceremonia Përmbyllëse e Programit të Shkëmbimit të Nxënësve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Për ministren e Arsimit Besa Shahini nëpërmjet këtij program synohet të eliminohen paragjykimet dhe të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve.

Përfundoi programi “Si N’Shtëpinë Tënde”. 120 nxënës nga Shqipëria e Kosova përgjatë dy javëve ish pjesë e aktiviteteve të ndryshme për shkëmbimin e kulturave mes dy vendeve. Nxënësit që kanë marrë pjesë në program kanë jetuar me një familje pritëse.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini theksoi se qëllimi i programit është që ta njohim sa më mirë dhe ta duam sa më shumë njëri-tjetrin.

“Paragjykimet nuk do të ndodhin nëse ne e njohim më mirë njëri-tjetrin dhe thellohemi në mënyrën e jetesës së njëri-tjetrit. Jemi dy vende shqipfolëse, kështu që e kemi të domosdoshëm bashkëpunimin. Qëllimi kryesor i këtij programi ishte që të njohim sa më mirë qytetet dhe shkollat e njëri-tjetrit, dhe në këtë formë të kuptojmë sa më mirë si jetohet në anën tjetër të kufirit dhe se si zbatohet kurrikula e re e cila është e ngjashme në të dy vendet”, tha Shahini.

Ndër të tjera, Ministrja Shahini tha se ky program pilot 2-javor planifikohet të thellohet edhe në të ardhmen dhe se përshtypjet e secilit nxënës, prind, mësues e drejtues janë shumë të rëndësishme për procesin e politikë-bërjes.

​Programet e shkëmbimit të nxënësve u japin të rinjve mundësinë për të studiuar në një vend dhe mjedis të ndryshëm, si dhe të pajtohen me historinë dhe kulturën e një vendi tjetër duke njohur miq të rinj dhe duke pasuruar zhvillimin e tyre personal./abcnews.al