Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet sot për të miratuar kandidaturat e Sali Berishës për tre postet e rëndësishme në parti. Mbledhja do të zhvillohet në orën 14:00 në selinë blu.
Bëhet fjalë për postet për Sekretar të Përgjithshëm, Nënkryetarë dhe Sekretariatet e Partisë Demokratike. Më pas në orën 17:00 të ditës së sotme do të mblidhet Këshilli Kombëtar për të votuar kandidaturat. Këto ditë kanë qenë intensive në selinë blu.
Gazetari Juxhin Mustafaraj ka raportuar se për këto tre poste, katër janë emrat më të lakuar, Belind Këlliçi, Agron Shehaj, Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.
Këta janë edhe katër emrat që dolën më të votuarit për të qenë pjesë e Kryesisë së PD. Një nga nënkryetarët e PD do të drejtojë Grupin Parlamentar pas shkarkimit të Enkelejd Alibeajt në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit.
Kujtojmë se më 22 mars, Sali Berisha u rizgjodh pas 9 vitesh në krye të Partisë Demokratike, pasi fitoi zgjedhjet në të cilat garonte me Ibsen Elezin.
Pas zgjedhjes së kryetarit iu hap rruga edhe zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe atyre të Kryesisë. Një pjesë e grupit parlamentar të PD, e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj e kundërshton marrjen e drejtimit të partisë nga Komisioni i Rithemelimit, të cilit tashmë i ka përfunduar edhe mandati.
Në këto kushte, në PD vijojnë ende të ekzistojnë tre grupe, ndërsa anëtarë të ndryshëm të partisë janë shprehur se nuk duket se po gjendet rruga drejt bashkimit. Edhe për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, deri në djegien e tre raundeve të para, opozita nuk mundi që të gjente një konsensus mes vetes për t’iu imponuar mazhorancës me një apo disa kandidatë.
Nga ana tjetër, gjykata e Apelit pritet të shprehet lidhur me vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri në shkallen e parë, i cili njohu si legjitim statutin dhe vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit. /abcnews.al/

